Maqedoni
Strehimorja në Momin Potok e hapur për të pastrehët
30.12.2015 11:04
Për shkak të paralajmërimeve për temperatura më të ulëta në periudhën e ardhshme...

Për shkak të paralajmërimeve për temperatura më të ulëta në periudhën e ardhshme, Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit në Momin Potok do ta hapë strehimoren e përkohshme për të pastrehët.
"Duke i përcjellë paralajmërimet për valën e ftohtë në periudhën e ardhshme, Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit do ta hapë Strehimoren e përkohshme për të pastrehët, e cila ka kapacitet të akomodojë 20 persona në të njëjtën kohë. Të pastrehët prej nesër e deri të dielën do të mund të qëndrojnë në strehimoren në Momin Potok, ndërsa më tej do t'i përcjellim rekomandimet në raport me kushtet e motit", thuhet në kumtesën e Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë.
Nga atje informojnë se për personat do të sigurohen edhe vakte shtesë dhe se në gjithë aktivitetin do të kyçen më shumë se 30 vullnetarë dhe profesionistë.
"Në terren do të funksionojnë edhe ekipe mobile që të mundemi më lehtë ta përcjellim situatën në terren dhe paraqitjet e qytetarëve", shtohet në kumtesë.
Aktivitetet tradicionale që i marrin në këtë pikë, si ushqim, veshje, shërbime higjienike dhe shërbim berberi si dhe medikamente, vazhdojnë në bazën e rregullt./Mia
