Në vitin 2016, Komuna e Çairit me 5 vetura ekologjike
Në kuadër të masave të uljes së ndotjes, Komuna e Çairit ka ndërmarrë procedura për tjetërsimin e automjeteve të reja ekologjike të cilat janë të dobishme për mjedisin jetësor...

Pas 15 janarit të vitit 2016, që kur buxheti i ri do të hyjë në fuqi, menjëherë do të hapet procedurë për furnizimin e 5 automjeteve të reja ekologjike, vlera e të cilave do jetë rreth 8 milion denarë, që të njëjtat do të shfrytëzohen për nevojat e komunës, theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dhe kryetari i Këshillit të Komunës, Zahir Bektesh.
“Përskaj kësaj, para Komunës së Çairit do të bëjmë mbushës publik për automobilat elektrik, të cilët do të munden t’i shfrytëzojnë të gjithë qytetarët të cilët kanë automjete elektrike. Që kjo iniciativë të bëhet masovike dhe të përmirësohet gjendja me shkaktarët e ajrit në komunikacion, do të ngremë iniciativë deri te Qyteti i Shkupit dhe në BNJVL për zgjerimin e këtij aktiviteti”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“Në këtë drejtim ne i kemi marrë masat paraprake, kemi miratuar buxhetin, ku parashihen mjete konkrete për blerjen e automjeteve elektrike me të vetmin qëllim, që të jemi një hap para asaj që defakto është interes i qytetarëve”- tha kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, Zahir Bektesh.
Komuna e Çairit do të vazhdojë edhe me aktivitetet në drejtim të përmirësimit të gjendjes së mjedisit jetësor, siç është edhe mirëmbajtja e higjienës, mbjellja e fidanëve të rinj dhe të ngjashme. (Gyltene Sinani, TVM2)
