Ostreni: Qeveria investoi për të kaluarën, jo për të ardhmen

30.12.2015 16:09

Viti 2015 në Maqedoni është karakterizuar me një kaos politik, social dhe ekonomik...

Kështu vlerëson partia politike “Uniteti”, sipas të cilës kjo ka bërë që qytetarët të largohen nga vendlindja për të gjetur një të ardhme më të mirë diku në Perëndim. Kryetari i kësaj partie, Gëzim Ostreni, drejtoi akuza drejt Qeverisë, pasi që, sipas tij, prioritet nuk u është dhënë qytetarëve, por ndërtimit të projektit “Shkupit 2014”.   

“Qeveria e gaboi drejtimin. Ajo investoi në të kaluarën e sajuar, në ëndrrën e saj për prejardhjen antike e jo për të ardhmen. Në këtë ëndërr e përfshiu edhe një pjesë të qytetarëve maqedonas, të cilët sikur nën hipnozë i besonin pushtetit, që në mënyrë të paskrupull i mbushnin llogaritë bankare nga ryshfeti dhe korrupsioni, duke kontribuar për varfërimin e pjesës më të madhe të qytetarëve, njerëzve të papunë, që kanë nevojë për ndihmë sociale për të siguruar bukën e gojës”- deklaroi kryetari i “Unitetit”, Gëzim Ostreni.

Nga kjo parti theksuan se është i domosdoshëm sigurimi i shtetit ligjor, liria e mediave dhe realizimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, e cila sipas tyre duhet të çlirohet nga prangat e sekretariatit për implementimin e saj. Ata theksuan se pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet e prillit do të ndikohet nga krijimi i kushteve.

“Për zgjedhjet e 24 prillit të 2016-ës duhet të sigurohen të gjitha kushtet e parapara nga Marrëveshja e Përzhinës dhe së bashku me ndërkombëtarët të vlerësohet nëse janë krijuar kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike, për pjesëmarrje të unitetit në to”- tha kryetari i “Unitetit”, Gëzim Ostreni.

“Uniteti” gjatë vitit 2016 zotohet se do të angazhohet në përmirësimin e gjendjes së qytetarëve, barabarësisë e qytetarëve, si dhe zhvillimit ekonomik të vendit. (Ersan Pajaziti, TVM2)