Propozim-ligji për noterim, avokatët konsulent për kontratat mbi 20 mijë euro

30.12.2015 16:17

Në rast se qytetarët shesin ose blejnë pronë mbi 20 mijë euro, ata do të duhet të marrin avokatë dhe të konsultohen me të për gjithë procedurën noteriale...

Këtë e parasheh propozim-ligji i ri për noterim, i cili është në fazën parlamentare. Nga Oda e Avokatëve të Maqedonisë vlerësojnë se me këtë do të mundësohet mbrojte më e madhe juridike e qytetarëve gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve noteriale dhe do të shmangen kontestet mes palëve dhe noterëve.

“Në propozim-ligjin për noterim parashihet se në rast se gjatë procedurës së noterimit marrin pjesë edhe avokatë, shuma e shpenzimeve për ta të jetë deri në  50 për qind të shpenzimeve të përgjithshme të noterëve. Ky është definicioni se si e njëjta do të realizohet në praktikë. Me këtë qytetarëve do t’u mundësohet të kenë mbrojtje më të madhe juridike gjatë procedurës së noterimit dhe të mos jenë të vetëm para noterëve, dhe normalisht se kjo risi do të kontribuojë në zvogëlimin e kontesteve”- deklaroi kryetari i Odës së Avokatëve, Nikolla Dodevski.

Javë më parë edhe Oda e Noterëve u shpreh e kënaqur nga ndryshimet e fundit në Ligjin e ri për noterim, duke vlerësuar se këto risi do të sjellin perspektivë të re në profesionin e noterëve.

Ndërkohë, Oda e Avokatëve të Maqedonisë promovoi softuerin e ri, i cili do të mundësojë lidhje elektronike të 2.500 avokatëve me Odën e Avokatëve, me ç’rast do të mund të mbajnë evidencë elektronike. (Rexhep Qamili, TVM2)