Maqedoni
“Specialja” do të ekipohet me nëpunës, Kuvendi ndryshon Ligjin për nëpunës në Prokurori
30.12.2015 17:01
Prokurorja speciale, Katica Janeva, do të ketë shërbimet e saj për prokurim publik...

Pas hedhjes poshtë të propozimit të opozitës për këtë qëllim, Qeveria propozoi ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për nëpunës në prokurorinë publike, me procedurë të shkurtë.
Sipas Qeverisë, propozim-ligji ka për qëllim rregullimin plotësues të statusit të nëpunësve ekzistues në prokurori, si dhe rregullimin e statusit të nëpunësve në Prokurorinë Publike për ndjekjen e veprave penale të lidhura dhe që burojnë nga përmbajtja e ndjekjes së jashtëligjshme të komunikimeve.
Me ndryshimet në ligj, përveç ekipimit të Prokurorisë Speciale do të përfitojnë benificione në masë prej 35% nga paga bazë, të gjithë nëpunësit në Prokurorinë Publike, të cilët do të përfshihen në komponentën e jashtëzakonshme, për punë në kushte të posaçme, rrezik të lartë në punë dhe besueshmëri.
Veç kësaj, Kuvendi vendosi që edhe skandalin me letërnjoftimet ta hetojë një komision tjetër anketues. Përkatësisht, Kuvendi vendosi në rend dite propozimin e një grupi deputetësh për themelimin e një komisioni të posaçëm anketues për skandalin me fabrikën për falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave, aferave dhe dokumenteve të tjera.
Propozimi u mbështet nga të gjitha subjektet politike, përveç opozitës maqedonase. Kjo e fundit konsideron se VMRO me këtë propozim po ngre një komision anketues kundër Komision Anketues për skandalin me përgjimet, ashtu siç organizonte kundërprotesta sa herë që opozita organizonte protesta.
SHPËTIM NUREDINI
