Debat në “Argument”, analistët: Zgjedhjet korrekte, shansi për dalje nga kriza

30.12.2015 17:59

Procesi politik në Maqedoni është i ndërlikuar, ndërsa i tillë do të mbetet deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërkohë përmbushja e obligimeve që buron nga Marrëveshja e Përzhinës do të dëshmojë nivelin e pjekurisë së klasës politike për të zbatuar vendimet...

Kështu vlerësuan njohësit e rrethana politike në vend, Naser Zyberi, Emin Azemi dhe Albert Hani, gjatë debatit që u zhvillua në emisionin “Argument” në TVM-2. Ajo që ka rëndësi, nënvizuan ata, është që të mos lëshohet shansi dhe të përgatitet treni për zgjedhje me standarde demokratike, por, sipas tyre, do të ishte iluzion që të priten situata të relaksuara. 

“Maqedonia është në një shans të kthesës dhe 24 prilli është shansi historik që Maqedonia definitivisht ta braktisë praktikën e zgjedhjeve të bastarduara. Në qoftë se Maqedonia e lëshon edhe këtë shans, atëherë ajo do të vazhdojë me praktikën e deritanishme dhe gjasat për një Maqedoni të anëtarësuar në UE dhe NATO janë shumë të vogla, për të mos thënë se hapet spiralja për t’u futur në një krizë më të thellë”- deklaroi analisti, Naser Zyberi.

“Ajo që është më e rëndësishme është që të përgatitet një teren që në Maqedoni së paku të ketë zgjedhje të ndershme, ajo që është me rëndësi është çështja e listave. Qeveria teknike duhet të përgatisë terrenin dhe Maqedonia ta bëjë një ndryshim të madh me këto zgjedhje”- tha publicisti, Emin Azemi.

“Zgjedhjet më 24 prill është e mundur të mbahen meqenëse do të kenë interes të gjitha partitë politike të tregojnë se janë të pjekura për dialog, janë të pjekur për një të ardhme më të mirë të këtij shteti, thjesht duke ju përmbajtur asaj që kanë premtuar gjatë negociatave për Marrëveshjen e Përzhinës. Nëse ne lejojmë që kriza të thellohet edhe më tej, atëherë besoj se ne nuk kemi kapacitet të përballemi me diçka shumë serioze”- theksoi analisti, Albert Hani.

Për sa i përket Prokurorisë Speciale, pjesëmarrësit në debat theksuan se shqiptarët u janë shumë të interesuar se si do të funksionojë ky institucion.

“Opinioni shqiptar me shumë kureshtje do t’i përcjellë këto çështje. Të shohim se çfarë përmbajnë këto përgjime sa ka element për të vërtetuar tezat e mbrojtësve të palëve të dëmtuara, se bëhet fjalë për raste të montuara apo do të dëshmohen vendimet e gjyqësorit, por gjithsesi Prokuroria Speciale do të merret me këto çështje dhe do t’u bëhet një revizion proceseve”- u shpreh analisti, Naser Zyberi.

Pjesëmarrësit në debat gjithashtu nënvizuan se nga gjithë ky proces politik, i cili duhet të përforcojë demokracinë në vend, duke përfshirë një gjyqësor të pavarur, lista korrekte zgjedhore, media të pavarura e tjerë do të jetë në favor të gjithë qytetarëve të vendit. (Naim Ramadani, TVM2)