Komisioni për Emërime, pro shkarkimit të Dumës
Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime ka votuar vendimin për shkarkimin e anëtares së KShZ-së nga radhët e LSDM-së, Violeta Duma, për arsyen se ajo përmbush kushtet për daljen në pension...

Për këtë reaguan deputetët e opozitës.
Deputeti, Goran Misovski, akuzoi VMRO-DPMNE-në se po tentojnë të dobësojnë rolin e LSDM–së në KShZ.
“Shkarkimi i Dumës bëhet për arsye politike, doni ta dobësoni opozitën në udhëheqjen e saj dhe kjo është e bardhë si dita”- deklaroi deputeti i PRSD-së, Goran Misovski.
Nga VMRO-DPMNE u kundërpërgjigjën se opozita me kundërshtimet e saj për shkarkim të Violeta Dumës dëshiron të shtyjë zgjedhjet.
”Prej këtu mund ta shohim qartë se skenari i LSDM-së është ky: nëse shkarkohet zonja Duma, LSDM më pas mos të propozojë kandidat të ri të KShZ-së dhe ky trup të mos mund të funksionojë dhe të vijë në prolongimin e zgjedhjeve”- tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova.
Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, tha se hapja e sërishme e përbërjes së KShZ-së kthen mbrapa jetësimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe thellon krizën politike në vend.
“Përshtypja ime është se me këtë seancë dhe me këtë lloj qasje të palëve ne po i shërbejmë thellimit të krizës”- u shpreh deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.
Vendimi për shkarkimin e Violeta Dumës pritet të votohet në seancë plenare, më 11 janar, kur edhe ajo zyrtarisht do të shkarkohet nga detyra. Më pas do të shpallet konkurs për anëtar të ri, i cili do të zgjidhet me dy të tretat e votave në kuvend. (Meral Ismaili, TVM2)
