Maqedoni

MPB, masa të shtuara të sigurisë në pritje të Vitit të Ri

31.12.2015 10:02

Përderisa të gjithë festojnë Vitin e Ri, policia dhe zjarrfikësit ndërrimin e motmoteve do ta presin në krye të detyrës, duke mbrojtur qytetarët nga incidentet e mundshme...

Nga MPB bëjnë të ditur se kanë shtuar masat e sigurisë, me qëllim të parandalimit të incidenteve eventuale gjatë kësaj nate. 
 
“Lidhur me kremtimin e festave, qytetarët do të sigurohen në mënyrë adekuate. Festimet në ambient të hapur do të mbahen në sheshin ‘Maqedonia’, Sheshin ‘Jadran’, ndërsa festime në ambiente të mbyllura do të mbahen në sallën e Klubit Sportiv “Rabotniçki”, në parkun e qytetit, në ‘Metropolis Arena’ në panairin e Shkupit. SPB-Shkup ka angazhuar një numër të mjaftueshëm të policëve nga të gjitha njësitë organizative të Zyrës së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Brendshme. Gjithashtu nga ana e policisë janë ndërmarrë masa dhe aktivitete në gjithë territorin, me qëllim të mbulimit preventiv të akseve rrugore dhe objekteve hotelerike në të cilat do të ketë pritje të vitit të ri 2016”- thuhet në kumtesën e MPB-së.
 
Lëndimet më të shpeshta gjatë festës janë si pasojë e mjeteve piroteknike, armëve të zjarrit apo aksidenteve rrugore, më se shumti si pasojë e përdorimit të tepruar të alkoolit.
 
Prandaj, Ministria e Punëve të Brendshme apelon deri tek qytetarët që gjatë festave të përmbahen nga përdorimi i tepruar i alkoolit, të mos drejtojnë automjetet e tyre nën ndikim të alkoolit, si dhe të përmbahen nga përdorimi i armëve të zjarrit, fishekzjarrëve dhe mjeteve tjera piroteknike. 
 
“Qytetarët që për çdo informacion në lidhje me prishjen e rendit mund të lajmërojnë në numrat e telefonit 192 dhe 199”- thuhet në kumtesën e MPB-së.
 
ERSAN PAJAZITI