Botë
Festa ka filluar, Australia dhe Zelanda e Re pritën Vitin e Ri 2016
31.12.2015 12:17
Samoa dhe Kiribati e pritën të parët Vitin e Ri 2016. Samoa hyri në histori, sepse ishin pikërisht banorët e këtij ishulli...

Samoa dhe Kiribati e pritën të parët Vitin e Ri 2016. Samoa hyri në histori, sepse ishin pikërisht banorët e këtij ishulli që deri atëherë e festonin të fundit ndërrimin e viteve, në 29 dhjetor 2011, ata kaluan në mënyrë virtuale kufirin e datës së Paqësorit, duke e çuar orën 24 orë përpara. Si përherë, Sydnei i Australisë ishte i pari qytet i rëndësishëm që përshëndeti ndërrimin e viteve me spektaklin e tij ikonë të fishekzjarreve.
Shfaqja ekstravagante e ngjyrave dhe festimet nisin atje 16 orë përpara rënies së globit të kristalte në “Times Square”.
Në Nju York është bërë gati sfera e kristaltë e ndërrimit të viteve. Teksa 2015-ta i afrohet fundit, japonezët në Tokio i janë drejtuar tempujve për të shprehur dëshirat për vitin që troket. Vizitorët djegin temjan e i bien kambanave të tempujve, ndërsa urimi kryesor është ai për fat të mirë. Rio de Zhaneiro përgatitet të presë më shumë se 2 milionë turistë për kremtimet e Vitit të Ri. Për personat e mbledhur aty, është përgatitur një spektakël fishekzjarresh 16 minutësh, ndërsa nuk do të mungojë si përherë muzika e përzgjedhur e kërcimi në rërë.
E derisa bota festoi ose përgatitet për mesnatën e ndërrimit të viteve, Brukseli, Berlini dhe Vjena kanë anuluar fishekzjarret e mesnatës nga frika e sulmeve terroriste. Autoritetet frikësohen se shpërthimi i fishekzjarreve dhe shisheve të shampanjës mund të shoqërohet edhe me “shpërthime” të tjera. Në Berlin, 900 policë ruajnë portën e njohur të Brandenburgut dhe pjesë të tjera të rëndësishme të qytetit. Edhe Moska ka mbyllur sheshin e kuq dhe kjo është njësoj si të mbyllet “Time Squeri” në Nju Jork.
Një vit të ri pa shumë festime pompoze do të kenë sivjet edhe shumë shqiptarë, të cilët festën e fundvitit do e kalojnë në kampet e azilit në vende të ndryshme të Evropës. Sipas “Eurostat”, 45.030 shtetas shqiptarë janë në pritje të një përgjigje për kërkesën e tyre për azil. Një numër shumë më i lartë krahasuar me fillimin e vitit 2015, ku në janar të këtij viti rreth 16.000 persona ishin në pritje për një përgjigje.
GAZMEND REXHEPI
