Maqedoni

Mjekët e Emergjencës të gatshëm për sonte, apelojnë për maturi me pije dhe ushqim

31.12.2015 13:29

Një pjesë e mjekëve, pjesë e Ndihmës së Shpejtë, sonte do të festojnë në vendet e punës, duke qenë të gatshëm t’u japin ndihmë mjekësore të gjithë atyre që eventualisht mund të kenë nevojë...

Për festat e fundvitit emergjenca në kryeqytet do të punojë 24 orë dhe do të ketë në dispozicion plot 12 ekipe mjekësore, që do të kujdesën për shëndetin e  përkeqësuar të qytetarëve gjatë kësaj mbrëmje. Qytetarët që do të kenë nevojë për ta do të mund të paraqiten në numrin 194.
 
“Gjatë natës së Vitit të Ri ndihma e shpejtë do të punojë me plot kapacitetin e saj. Ajo do të ketë 12 ekipe mjekësore në dispozicion, me nga 12 mjekë në to. Ata janë të shpërndarë nëpër punktet e emergjencës në Shkup. Sa i përket numrit të pacientëve, kjo gjë nuk mund të parashikohet, sepse çdo vit numri është i ndryshëm dhe varet nga përgjegjësia e qytetarëve”- deklaroi Natali Samoillova nga Ambulanca e Ndihmës së Shpejtë.
 
Mjekët e Emergjencës u bëjnë thirrje qytetarëve të kenë kujdes gjatë festimeve të sotme, në veçanti të mos e teprojnë me pirjen e alkoolit dhe ushqimit, sepse çdo teprim mund tua përkeqësojë gjendjen e tyre shëndetësore. 
 
“U rekomandojmë qytetarëve me sëmundje kronike të marrin terapinë e duhur në kohë dhe të bëjnë kujdes për gjendjen e tyre shëndetësore, ndërsa qytetarëve të cilët do të festojnë Vitin e Ri nëpër lokale, në masë t’i konsumojnë pijet alkoolike dhe të mos e teprojnë me ushqimin”- tha Natali Samoillova nga Ambulanca e Ndihmës së Shpejtë.
 
Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur gjithashtu se me ekipe kujdestarie 24 orëshe do të punojë edhe Klinika e Toksikologjisë, Qendra Urgjente dhe Spitali i Qytetit.
 
REXHEP QAMILI