Botë

Vatikan, Mesazhi i Papës për median: Më shumë hapësirë për lajme pozitive

01.01.2016 12:46

Mediat duhet ti japin më shumë hapësirë lajmeve pozitive, historive frymëzuese për të balancuar propagandën e të keqes, dhunën dhe urrejtjen në botë...

Ky ka qënë mesazhi i atit të shenjtë Papa Francesku për vitin e ri 2016, adresuar mediave botërore.
 
Në meshën solemne në prani të mbi 10 mijë besimtarëve në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa kujtoi edhe një herë tragjeditë dhe ngjarjet e shëmtuara të vitit që lamë pas.
 
“Nuk mund ti harrojmë ditët e mbushura me dhunë, vdekje, dhimbje të pashpjegueshme të njerzve të pafajshëm, refugjatët që u detyruan të lënë shtëpitë e vendin e tyre, burrat, gratë dhe fëmijët pa shtëpi, njerëzit të nevojë”.
 
Ati i shenjtë tha se media duhet të tregohet solidare dhe mos ti kushtojë rëndësi arrogancës dhe të keqes, teksa theksoi se ishte i vetëdijshëm se lajmet e mira nuk përbëjnë kurrë lajm.
 
Papa argjentinas dënoi ashpër etjen për pushtet dhe dhunë, që karakterizoi vitin 2015 por pa dhënë shembuj konkretë.
 
Edhe një herë në mesazhin e tij, Kreu i Kishës Katolike i kërkoi botës të jetë e bashkuar për ti dhënë fund mizorisë dhe barbarisë së Shtetit Islamik, që kanë shkaktuar mjaftueshëm dhimbje dhe humbje në shumë vende./Oranews