Marrëveshja e Përzhinës, sfida e këtij viti; Të gjitha çështjet e hapura barten në 2016-tën
Maqedonia hyn në vitin 2016 me sfidat e vitit të kaluar...

Thuaja asnjë nga çështjet thelbësore nuk u mbyll me natën e ndërrimit të moteve. Në planin e sigurisë politike dhe institucinale vendi vazhdon të shënojë ngecje në zbatimin e Marrëveshjes Politike të dy qershorit dhe, jo vetëm.
Edhepse nën presion dhe angazhim të vazhdueshëm ndërkombëtar aktorët politik gjejnë arsye për të shty zbatimin e këtij dokumenti i cili, parasëgjithash duhet të dekriminalizojë politikën nga korrupsioni dhe krimet e pretenduara, që burojnë nga përgjimet e paligjshme si dhe, të krijojnë kushte për zgjedhje të parakohëshme parlamentare, korrekte dhe demokratike.
Përderisa afati për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme po bën presion, KSHZ, e cila ka barën kryesore për organizimin e zgjedhjeve, u ekipua vetëm pak ditë më parë, ndërsa grupet punuese ende nuk kanë arritë marëveshje për mediat. Kuvendi vetëm dy ditë më parë miratoi ndryshimin e Ligjit për nëpunësat në prokurorinë publike, me të cilin i mundësohet Prokurorisë speciale të ekipohet me administratë, ndërsa komisioni Anketues për skandalin me përgjimet ka pezulluar punën pa afat, pasi palët akuzojnë njëra tjetër për opstruksione.
Ndërkaq, me Marrëveshjen e Përzhinës parashihet që 100 ditë para zgjedhjeve të 24 prillit, duhet të dorëhiqet edhe kryeministri Nikolla Gruevski, dhe më së voni, deri më 15 janar të zgjedh qeverinë kalimtare e cila do të vazhdojë të drejtohet nga VMRO DPMNE.
Mungesa e vullnetit politik për zbatimin e mirëfilltë të Marrëveshjes politike dhe shkelja e vazhdueshme e afateve do të sjellin për të tretën herë në Shkup, eurokomisarin për zgjerim Johanes Han, i cili pritet të vizitojë vendin në pjesën e parë të janarit, pikërisht në kohën kur Gruevski duhet të dorëhiqet, pas drejtimit të qeverisë së RM-së që nga viti 2006. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
