Deputetët për 10 vite 7.4 miljon euro harxhime për rrugë
Brenda dhjet viteve të kaluara deputetët e kuvendit të Maqedonisë kanë shpenzuar 7.4 milionë euro, vetëm për udhëtim me automjetin personal për qëllime zyrtare...

Deri te një informacion i këtillë ka ardhur Qendra për Gazetari Hulumtuese SCOOP-Maqedonia, sipas të cilës vetëm Deputeti nga disapora, Vasko Naumovski, nga tetori i vitit 2014 deri në tetor 2015 ka arritur të marrë një shumë prej 15.800 eurosh nga arka e Kuvendit për shfrytëzimin e veturës personale për qëllime zyrtare.
SCOOP-Maqedonia poashtu bën të ditur se për vetëm 11 muaj të vitit 2014, për shpenzimet e udhëtimit të deputetëve janë paguar 1 milion euro. Për këtë periudhë, një pjesë e deputetëve kanë marrë shumën prej mbi 20 mijë eurosh për të ardhur në punë.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së nga Gjevgjelia, Dragi Cuklev edhe këtë vit është rekorder për paratë e marra për shfrytëzimin e automjetit personal për qëllime zyrtare. Në llogarinë e tij nga tetori i vitit 2014 deri në tetor të vitit 2015 kanë arritur rreth 18 mijë e 500 euro. Ai edhe vitin e kaluar ka marrë rreth 25.000 euro dhe ishte deputeti me më shumë para të marra nga arka e Kuvendit.
Në listën e deputetëve që kanë marrë më shumë para mbi këtë bazë janë edhe Kërsto Mukoski, Romeo Trenov, Sasho Vasilevski, Silvana Boneva, Momçillo Avramovski, Ljiljana Zlaturoska dhe Ramiz Merko. Poashtu sipas kësaj qendre gjithsej 577 mijë euro janë shpenzuar nga ana e 63 deputetëve gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, ose nga 9 mijë euro për secilin deputet”.
Sipas kësaj qendre asnjë nga këta deputetë, apo nga partite e tyre nuk kanë dashur të flasin për këtë temë. Në listë nuk janë deputetët e opozitës, për shkak se deri në shtator të vitit 2015 ata bojkotuan punën e Kuvendit.
Ndërsa sipas kalkulimit të SCOOP-Maqedonia me këto para mund të ndërtoheshin 5 shkolla të reja me kapacitet prej 2.600 nxënës dhe 30 kopshte fëmijësh me kapacitet për t’u kujdesur rreth 3.000 fëmijë. Gjithashtu, mund të bëhej një rinovim i 7 spitaleve të përgjithshme në vend. (Gyltene Sinani, TVM2)
