Obama, masa për problemin e dhunës me armë

02.01.2016 12:43

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se do të ndërmarrë veprime të njëanshme për të trajtuar problemin e dhunës me armë në SHBA...

Në adresimin e parë javor në vitin 2016, Obama ka thënë se ai do të takojë prokuroren e përgjithshme, Loretta Lynch, për të diskutuar aksionet që mund t’i marrë.

Ai ka thënë se do të përdorë fuqitë e tij ekzekutive si president, sepse Kongresi amerikan ka dështuar të trajtojë problemin. Analistët thonë se do të ketë reagim të ashpër nga aktivistët e armëve dhe republikanët.

Muajin e kaluar, një shef i policisë në Teksas ka paralajmëruar presidentin se përpjekjet për të çarmatosur amerikanët mund të shkaktojnë revolucion.

Vitin e kaluar, disa njerëz kanë humbur jetën në SHBA nga dhuna me armë, prandaj ligjvënësit demokratë kanë kërkuar disa herë forcimin e ligjeve për armë, duke e bërë të detyrueshëm kontrollin e biografisë së atyre që duan të blejnë armë dhe ndalimin e shitjes së armëve nëse kontrolli nuk është i plotë. Por republikanët kryesisht janë kundër.