Zgjedhjet e parakohëshme, Bilalli: Kushtet e Përzhinës në pikëpyetje

02.01.2016 16:48

Shkelja e vazhdueshme e afateve për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës bën gjithnjë e më të luhatshme datën për mbjatjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare, të paralajmëruara për më 24 prill...

Analisti politik Mersel Bilalli thotë se nuk ka gjasa që në kohën e mbetur deri më 24 prill të plotësohen të gjitha parakushtet për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

“Objektivisht nuk ka shanse të përmbushen as kushtet të cilat në mënyrë taksative dhe të fiksuara janë përcaktuar në marrëveshje aq më pak fryma e marrëveshjes së përzhinës. Duke përcjell vetëm mediat të cilat përkrahin pushtetin do të mund të konstatojmë se atmosferë zgjedhore assesi nuk kemi, të mos flasim për Listën zgjedhore dhe për cështjet e dorëheqjeve dhe për cështjet e përgjegjsive” – tha analisti politik, Mersel Bilalli.

Bilalli parasheh zhvillime të papritshme brenda janarit që do të pamundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare. Situata e re do t’ia shtojë jetëgjatësinë qeverisë kalimtare, e cila sipas Bilallit do të jetë nën mbikqyrje të theksuar të ndërkombëtarëve dhe e detyruar të krijojë kushte për zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike. 

“Sipas shumë indikacioneve, brenda janarit, do të ndodhin do ndryshime spektakolare, të papritshme dhe të paparashikuara, të cilat objektivisht zgjedhjet do t’I bëjnë të paqëndrueshme dhe supozoj që mandej qeveria teknike do të jetë ajo e cila do të menaxhohet në baza të faktorit ndërkombëtar, për një kohë më të gjatë” – u shpreh analisti politik, Mersel Bilalli.

Përkundër shkeljeve të të gjitha afateve të Marrëveshjes së Përzhinës, VMRO DPMNE dhe dy partitë shqiptare thonë se zgjedhjet duhet të mbahen në datën e paralajmëruar, ndërkaq opozita maqedonase thotë se nuk është për zgjedhje pa u plotësuar paraprakisht kushtet për zgjedhje korrekte dhe demokratike të parapara me Marrëveshjen politike të dy qershorit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)