Lakers fitojnë edhe pa Bryant, “OK” Chicago e Miami

02.01.2016 18:22

Lakers arrijnë fitoren e 7-të në kampionat, duke mposhtur 93-84 Philadelphia dhe hakmarrë për humbjen e një muaji më parë...

Një ndeshje e komanduar dhe fituar me meritë nga kalifornianët, ku u dallua Williams, autor i 24 pikëve, më i miri në fushë. Këtë herë mungoi Kobe Bryant, që kërkoi 24 orë pushim për të qenë gati për sfidat e tjera.

Fiton edhe Chicago, 108-81 ndaj New York, në një sfidë pa shumë histori, pasi epërsia e Bulls ishte e madhe. Ishte Butler ai që bëri diferencën në parket, duke realizuar 23 pikë, ndërkohë që gjashtë lojtarë të Chicagos realizuan mbi 13 pikë.

Për nju-jorkezët u dallua Anthony me 20 pikë.

Një fitore të lehtë arriti Miami, që mposhti në fushën e tij Dallas 106-82. Një takim për t’u harruar për Maveriks, ku mungoi një lider në fushë, ndësa për ekipin nga Florida u dallua Whiteside me 25 pikë e 19 rebaund, mbështetur edhe nga Green me 19 pikë.

Nuk zhgënjen Washington, që triumfoi 103-91 ndaj Orlando, një sfidë ku difderencën e bëri Wall, autor i 24 pikëve dhe 13 asist. Edhe Porter nuk zhgënjeu, duke realizuar 20 pikë e 11 rebaund.

Kanadezët e Torontos mundën 104-94 Charlotte, dy ekipe që synojnë play off-in në Lindje. I zakonshmi DeRozan ishte ai që udhëhoqi Toronton drejt fitores, duke realizuar 23 pikë dhe i dhuroi suksesin e 23-të sezonal skuadrës.