Golden State “shpëton” në shtesë, fitojnë edhe Clippers, Cleveland e Spurs
Shumë ndeshje të luajtur gjatë mbrëmjes në NBA dhe në fushë kanë zbritur thuajse të gjitha ekipet pretendente...

Golden State “shpëton” në kohën shtesë, duke mundur 111-108 Denver, në një ndeshje të ekuilibruar dhe me shumë rivalitet.
Curry u rikthye në fushë pas dy ndeshjeve pushim, por e mbylli me vetëm 5 pikë në 14 minuta lojë, ndërkohë që për kampionët u dalluan Green me 29 pikë e Thompson me 26. Për Denver u dallua Gallinari me 24 pikë, por që mbetën për statistikë.
Në Perëndim fiton edhe Oklahoma, që triumfoi 109-90 në fushën e Charlotte, në një ndeshje të dominuar nga miqtë. Suksesi i 24-t sezonal për Oklahomën erdhi nga duart e Durant, që realizoi 29 pikë e 11 rebaund. Për Charlotte nuk mjaftuan 32 piktë e Walker për të evituar humbjen e 16-të në kampionat.
Ritmin e kampionëve ndjek edhe San Antonio, që mundi 121-103 Houston, një derbi teksan komanduar nga Spurs. Edhe pse zhgënjeu Tim Duncan, që nuk realizoi asnjë pikë, u dalluan Aldridge me 24 pikë, Leonard me 22 e Diaw me 20 pikë, një trio që bëri diferencën në fushë. Për Houston u dallua Howard me 22 pikë e 12 rebaund, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen.