Botë

Mbytet një tjetër foshnjë, varka e refugjatëve u përplas me një shkëmb

04.01.2016 12:32

Mbytja e një fëmije 2-vjeçar në brigjet e Greqisë është kthyer në tragjedinë e parë të refugjatëve për vitin 2016...

Humbja e jetës së foshnjes ishte thuajse e njëjtë si djali trevjeçar, Alan Kurdi muaj më parë në Turqi.
 
Varka e vogël, që po transportonte nga Turqia 40 refugjatë, u përplas me shkëmbinjtë e ishullit Agathonisi, dhe ishte një peshkatar i zonës që ngriti alarmin e kuq, duke i ardhur edhe vet në ndihmë pasagjerëve. Të gjithë shpëtuan, përveç foshnjes, që nuk u rezistoi dallgëve dhe erërave të forta të shkaktuara nga moti i keq.
 
Prindërit e 2-vjeçarit u transportuan në Samos, ishullin më të afërt, rreth 50 km larg vendit të ngjarjes. Kriza e refugjatëve ka përfshirë në vorbullën e saj viktima shumë të reja në moshë. Shumë njerëz kanë humbur jetën tragjikisht, teksa kanë marrë përsipër një udhëtim të rrezikshëm për të arritur Europën. Dimri e ka theksuar edhe më tepër këtë fenomen.
 
Të dhënat zyrtare të vitit 2015 tregojnë se, afërsisht një milion refugjatë kanë zbritur në Europë, e ndërsa më shumë se 3 mijë e 600 njerëz kanë vdekur në tentativë për t’i shpëtuar luftrave në Siri, Afganistan dhe Irak.