Maqedoni
Pastrimi i rrugëve dhe bulevardeve nga bora, për 24 orë janë hedhur 280 ton krip
04.01.2016 16:40
Për pastrimin e rrugëve punohet nga të gjitha institucionet përkatëse. Brenda 24 orëve...
Për pastrimin e rrugëve punohet nga të gjitha institucionet përkatëse. Brenda 24 orëve, ekipet e shërbimit pranë Qytetit të Shkupit kanë hedhur 280 ton kripë për pastrimin e borës nga rrugët dhe bulevardet e qytetit.
"I bëjmë apel qytetarëve, këshilleve dhe pronarëve të shtëpive dhe objekteve afariste që të respektojnë detyrimin ligjor për pastrimin e borës nëpër rrugët për hyrje në objektet e tyre”- thuhet në njoftimin e qytetit.
Ndërkohë është hedhur poshtë ndalesa për lëvizje të automjeteve të rënda transportuese, që ishte vendosur në qafën e malit Strazhë, në aksin rrugor krahu Mavrovë-Mavrovë dhe në Presekë.
LAMM rekomandon kujdes në drejtimin e automjetit, shpejtësi të adaptuar gjatë qarkullimit dhe respektim të sinjalizimit të vendosur rrugor. Ndërsa edhe nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë” rekomandojnë që vozitësit të jenë të pajisur me mjetet e nevojshme dimërore, si dhe mos të udhëtojnë gjatë natës.
“Mbetet në fuqi përdorimi i mjeteve dimërore. Ju rekomandojmë të jeni të kujdesshëm, sepse tash në temperaturat e ulëta mund të kemi ngrica. Por, Ndërmarrja Publike ‘Rrugët e Maqedonisë’ është e organizuar dhe në tërë territorin e Maqedonisë ka 40 pika dimërore, të cilat janë aktive 24 orë për pastrimin e rrugëve që të jenë të kalueshme”- tha Ivan Petrov nga LAMM.
Ndërsa nga reshjet e borës në qendrën emergjente janë paraqitur edhe pacientët me lëndimet e para nga bora.
“Ne si kujdestari emergjente kemi intervenuar vetëm në 3 raste. Mbrëmë ishte një që ishte lënduar dhe sot në mëngjes ishin dy, por me lëndime të lehta. Deri më tani nuk kemi pasur pacientë me lëndime më serioze”- tha një mjek.
Nga Komuna e Çairit ekipet e mirëmbajtjes dhe pastrimit të rrugëve nga bora në sezonin e dimrit janë në terren nga mëngjesi i hershëm.
Për pastrim të rrugëve përmes makinerisë dhe hedhjes së kripës nëpër rrugë, për shkak të temperaturave të ulëta dhe ngricës, bëhet hedhja edhe e rërës.
Në vendkalimet kufitare nuk ka qëndrime më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
REJHANE BUSHI-METAJ
