Dhuna tek të rinjtë, Abduli: Prania e armëve të ftohta nxit dhunën
Dhuna në mesin e të rinjve dhe e krijuar nga po ata, është një dukuri e cila kohëve të fundit po merr përmasa jashtëzakonisht të mëdha...

Këto të dhëna brengosëse flasin se kjo dukuri mund të konsiderohet si lloj murtaje e këtij shekulli, sepse nga një zënkë sado që të jetë banale, hap predispozita për përfundim fatal të së njëjtës. Informacionet për vdekje të parakohshme, lëndime trupore, invaliditet e të tjera tek të rinjtë po i dëgjojmë pothuaj në çdo moment dhe gjithandej.
Sociologët shprehin brengosje për agresivitetin e tepruar tek të rinjtë, e cila në masë të madhe thellësisht i lëndon jo vetëm viktimat, por edhe familjet e tyre, shokët dhe shoqërinë. Sociologia, Ardita Abduli, për TVM2 thotë se faktori i parë i nxitjes është posedimi i armës pa dijeninë e prindit. Ajo nuk e përjashton edhe faktorin e dytë, që flet për nivelin emocional tek të rinjtë, kur mbizotëron kryelartësia për të treguar forcën përballë bashkëmoshatarëve të tij.
“Aberracionet e dhunshme nuk paraqesin raste të rralla në shoqëri, përkundrazi, një fenomen mjaft të përhapur tek grupmoshat e reja. Duke pasur parasysh rrethanat shoqërore, mund të përcaktojmë edhe shkaqet e incidenteve të dhunshme. Faktori i parë i nxitjes së këtyre akteve është posedimi i armëve pa kontrollin e prindërve, kur individi e posedon armën rreth tij, sillen shumë ide dhe me këtë ai mendon shumë opsione për të vepruar, njëkohësisht ky person është vet nxitës i konfliktit, me qëllim që të përdor armën si mbrojtje ndaj sulmit. Faktori i dytë që është nxitës i dhunës tek të rinjtë konsiderohet niveli i ndjeshmërisë emocionale dhe edukative, madje edhe në margjinat e synimeve për kryelartësi, ku të rinjtë sfidojnë forcën e tyre në përballje me moshatarët”- deklaroi sociologia, Ardita Abduli.
Abduli kërkon veprim të mekanizmave të kontrollit social, që do të shërbejnë si preventivë e akteve të dhunshme midis të rinjve. Sipas saj, kualiteti i qeverisjes së shtetit, ligjet e tij, si dhe shkalla në të cilën zbatohen dhe politika e mbrojtjes sociale kanë një efekt të rëndësishëm mbi dhunën.
“Është më se e nevojshme edhe lëvizja e patrullave policore në hapësira, në vende ku qarkullojnë të rinjtë, sidomos përreth kafeneve, apo lokaleve ku sillen më së tepërmi të rinjtë dhe njëkohësisht të kenë kontroll edhe vet lokali në të cilin organizojnë themi mbrëmje gazmore në orët e vona të natës, të ketë kontroll edhe në shitjen e alkoolit dhe kontrollin e të rinjve, të cilët mund të jenë cak i shitblerjes apo ndikimit të mjeteve narkotike, sepse nën ndikimin e tyre në fakt mund të rezulton edhe akti i agresivitetit mes të rinjve, që mund të pasojë me akte fatale. Por, patrullat policore duhet të jenë të vetmit subjekte të cilët mund të kontrollojnë rrethin apo ambientet ku sillen të rinjtë. Prindërit janë subjekt që kanë pushtetin për të kontrolluar fëmijët e tyre të mos jenë aktorë i mbajtjes së armëve me vete, madje duke i edukuar vazhdimisht ata mbi rreziqet që sjell ky fenomen”- tha sociologia, Ardita Abduli.
Sociologia Abduli mungesën e studimeve profesionale, të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e shoqërisë karshi devijimeve tek të rinjtë, e hedh tek institucionet e vendit. Sipas saj, meqë këto studime kushtojnë shumë, asnjë strukturë shtetërore nuk ka ofruar përkushtim për këtë natyrë studimore.
Ajo vlerëson se studimet serioze do të ndihmojnë duke sugjeruar rrugët sesi të kapërcehet kjo situatë kritike dhe si mund të parandalohet shkëputja e fëmijëve dhe të rinjve nga rruga devijuese dhe kriminele. (Sanije Kasami, TVM2)
