Maqedoni

Buxheti i Fondit të Shëndetësisë rritet për 6%, më shumë fonde për institucionet publike

04.01.2016 17:10

Fondi për Sigurim Shëndetësor nis 2016-ën me buxhet prej rreth 25.6 miliard denarë, 1.4 miliardë denarë më shumë në krahasim me vitin e kaluar....

Udhëheqësia e fondit e cilësoi rritjen si historike. 54% e buxhetit do të shkojë në institucionet shëndetësore publike, ndërkaq 31% për institucionet private.
 
Pjesa tjetër e buxhetit do t’u dedikohet lindjeve, sigurimit të pajisjeve ortopedike, mjekimit jashtë vendit dhe funksionimit të Fondit Shëndetësor. Rritje më të madhe të buxhetit do të ketë Spitali i Qytetit “8 shtatori”, me 68.9 milion denarë.
 
"Prej spitaleve vlen të theksohet “8 shtatori” me rritje prej 68.9 mln denarë, si dhe Spitali i Kumanovës dhe i Gostivarit, ku shuma arrin deri më 93 mln denarë. Buxheti i mbetur prej 1.4 miliardë denarëve, d.m.th. 540 mln denarë shpërndahen në furnizimin e barnave me receta nëpër barnatore, për rritjen e trajtimeve për dializë dhe rritjen e numrit të proceduarve për invitro"- deklaroi drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Orhan Ramadani.
 
Rritje e buxhetit është bërë edhe në klinika, pasi që parashikohet aplikim i metodave të reja të trajtimit. Buxheti është shkurtuar vetëm në Klinikën e Neurologjisë, si pasojë e kursimeve në ilaçe.
 
MERAL ISMAILI