Tetovë, Ndërmarrja për Rrugë e përgatitur për sezonin dimëror

04.01.2016 17:25

Nga Ndërmarrja për Rrugë dhe Tokë Ndërtimore e Tetovës kanë deklaruar sot se janë të përgatitur mirë për sezonin e dimrit, gjegjësisht pastrimin e rrugëve nga reshjet e borës dhe moslejimin e bllokimit të tyre...

Drejtuesi i kësaj ndërmarrjeje, Hisen Demiri, është shprehur se këtë vit Tetovën nga bora do ta pastrojnë dy ndërmarrje, ndërsa për këto aktivitete është siguruar një sasi e madhe e kripës.

“Komuna e Tetovës i ka bërë përgatitjet e veta për mirëmbajtjen dimërore të sezonit dimëror 2015-2016. Kështu që bora e djeshme nuk na ka habitur, sepse kemi qenë të përgatitur dhe e kemi pritur një gjë të tillë, dhe gjatë ditës së djeshme kemi intervenuar me hedhjen e kripës edhe atë në orët e pasdites, pasi nuk kemi pasur nevojë për pastrim të dëborës”- deklaroi drejtori i Ndërmarrja për Rrugë dhe Tokë Ndërtimore, Hisen Demiri.

Drejtori Demiri theksoi se për momentin nuk ka pasur bllokim të rrugëve, por vështirësi në qarkullim kanë pasur banorët e Malësisë së Tetovës. Ai tha se si drejtori i kanë marrë të gjitha masat dhe do të jenë gjithmonë afër banorëve të malësisë.

“Gjendje e njëjtë ka qenë edhe në fshatrat e malësisë. Gjatë ditës shtresa e dëborës ka qenë në nivel të njëjtë edhe në fshatrat e malësisë edhe në qytet, mirëpo në orët e mbrëmjes në malësinë e Tetovës kishte nevojë për të intervenuar për pastrimin e borës, kështu që dhamë urdhër dhe dolën t’i pastrojnë rrugët e malësisë, po ashtu u bë edhe hedhja e kripës nëpër këto rrugë sipas nevojës”- tha Demiri.

Ndërkohë, nëpër rrugët e Tetovës komunikacioni zhvillohet pa vështirësisë, por sektori i punëve të brendshme i Tetovës i bën thirrje qytetarëve që në veturat e tyre t’i mbajnë pajisjet dimërore dhe të jenë të kujdesshëm gjatë orëve të vona, pasi  rrugët mund të jenë me ngrica. (Visar Sadiki, TVM2)