Maqedoni

Çair, pas një zënke banale theret 19 vjeçari

04.01.2016 17:28

Mbrëmë, pas një zënke mes 2 grupeve të rinjsh, ka humbur jetën 19 vjeçari, Leart Ademi, pas një goditje me thikë...

Ngjarja ka tronditur banorët e Çairit. Arsyet e zënkës ishin banale, por që rezultuan fatale për djaloshin 19 vjeçar. 
 
Dy grupe të rinjsh po shëtisnin pranë restorantit “Biznis” në Shkup, njëri prej grupit ka filluar të ngacmojë grupin tjetër me një arsye krejtësisht banale dhe gjithçka ka përfunduar në zënkë. Njëri nga të rinjtë ka goditur me thikë pranë zemrës 19 vjeçarin, i cili ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në spital.  
 
Nga MPB thonë se janë duke punuar për zbardhjen e tërësishme të rastit. 
 
“Nga ana e SPB-së në Shkup po ndërmerren masa për zbardhjen dhe gjetjen e kryerësve të veprës, si dhe zbardhjen e tërësishme të veprës penale. Ende janë duke u vërtetuar motivet dhe detajet rreth kësaj ngjarje”- deklaroi Liza Bendova nga MPB.
 
Banorët e tronditur shprehen se ngjarjet e tilla të shpeshta janë jashtë normales. Sipas tyre, mungon siguria në lagjet shqiptare, si dhe thonë se policia duhet të shtojë masat e sigurisë dhe të jetë sa më shumë prezente nëpër lagje. 
 
“Nuk ka asgjë të sigurt, këtu janë çuar njerëzit peshë, duhet me pasur siguri. Nuk ka, ti a po sheh ndonjë polic këndej, vetëm natën njësiti ‘Alfa’ që del nëpër teren, se mos me qenë edhe ata këtu nuk je i sigurt as në shtëpi. Problemi është në përgjithësi tek shqiptarët, si në lagjen e Çairit ashtu edhe në lagjen e Butelit”- tha një qytetar. 
 
“Duhet të shtohet siguria, sepse nuk është normal kjo me u vra të rinjtë aq shpesh, është jashtë normales”- theksoi një qytetar. 
 
“Siguri ka, por nuk shohim këndej pari”- u shpreh një qytetar.
 
Përveç Leart Ademit, në vendngjarje është lënduar edhe një person tjetër, i cili ka kaluar me lëndime të lehta dhe pas trajtimit mjekësor është lëshuar në kurim shtëpiak.
 
Ndërkaq Leard Ademi ka qen djali i gazetarit të sportit në TVM2 Sami Ademi.
 
ERSAN PAJAZITI