Maqedoni

Bruksel, KE konfirmon vizitën e eurokomisionerit Han

04.01.2016 17:45

Eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Han, do të vizitojë Shkupin gjatë këtij muaji, por për momentin nuk është zbardhur se kur do të jetë data e vizitës...

Eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Han, do të vizitojë Shkupin gjatë këtij muaji, por për momentin nuk është zbardhur se kur do të jetë data e vizitës, konfirmon Komisioni Evropian.

“Johanes Han do të vizitojë Shkupin, por kur do të ndodhë kjo ende nuk mund të konfirmohet”- ka informuar Ketrin Rej, zëdhënësja e Komisionit Evropian.

Rej megjithatë nuk dha detaje për letrën të cilën Han e ka dërguar para dy javëve deri tek liderët, nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinës, por tha se gjatë vizitës do të bisedohet për avancimin në implementimin e pikave të kontraktuara.

Edhe kryeministri, Nikolla Gruevski, të dielën në mbrëmje gjithashtu ka konfirmuar se Han do të vizitojë Shkupin, por nuk zbuloi se për çka konkretisht do të bisedohet.

Më 11 janar në Shkup pritet të arrijnë edhe eurodeputetët, Riçard Hovit, Eduard Kukan dhe Ivo Vajgëll, të cilët së bashku me eurokomisionerin Han kanë ndërmjetësuar në arritjen e Marrëveshjes së Përzhinës.

Politikanët e Brukselit, për të cilët nuk dihet nëse do të udhëtojnë së bashku me eurokomisionerin Han, do të tentojnë të zgjidhin pengesat e dialogut për realizimin e Marrëveshjes së Përzhinës, e cila ka ngecur tek mediat, implementimi i tërësishëm i marrëveshjeve për KShZ-në, si dhe tek puna e Komisionit Anketues për bisedimet e përgjuara.