Botë

Mbytet një tjetër foshnjë, varka e refugjatëve u përplas me një shkëmb

04.01.2016 17:50

Mbytja e një fëmije 2 vjeçar në brigjet e Greqisë është kthyer në tragjedinë e parë të refugjatëve për vitin 2016...

Humbja e jetës së foshnjës ishte thuajse e njëjtë si e djalit trevjeçar, Alan Kurdi, muaj më parë në Turqi.
 
Varka e vogël, që po transportonte nga Turqia 40 refugjatë, u përplas me shkëmbinjtë e ishullit Agathonisi dhe ishte një peshkatar i zonës që ngriti alarmin e kuq, duke i ardhur edhe vet në ndihmë pasagjerëve. 
 
Të gjithë shpëtuan, përveç foshnjës, që nuk u rezistoi dallgëve dhe erërave të forta të shkaktuara nga moti i keq. Prindërit e 2 vjeçarit u transportuan në Samos, ishullin më të afërt, rreth 50 km larg vendit të ngjarjes. 
 
Kriza e refugjatëve ka përfshirë në vorbullën e saj viktima shumë të reja në moshë. Shumë njerëz kanë humbur jetën tragjikisht, teksa kanë marrë përsipër një udhëtim të rrezikshëm për të arritur Evropën.
 
Dimri e ka theksuar edhe më tepër këtë fenomen.
 
Të dhënat zyrtare të vitit 2015 tregojnë se, afërsisht një milion refugjatë kanë zbritur në Evropë, e ndërsa më shumë se 3 mijë e 600 njerëz kanë vdekur në tentativë për t’i shpëtuar luftërave në Siri, Afganistan dhe Irak.