Maqedoni
Anketë “Brima galup”: Qytetarët shpresojnë për një vit më të mirë
04.01.2016 17:57
Shpresa, optimizmi ekonomik dhe mundësia për të qenë i lumtur në Maqedoni, ndonëse me parashenjë pozitive, ndodhen në shkallën më të ulët se mesatarja globale...

Kështu ka rezultuar anketa të cilën e ka realizuar në teren që nga 3 deri më 11 nëntor Agjencia Hulumtuese “Brima”, ku janë përfshirë 1.209 të qytetarë.
“Indeksi i neto lumturisë në Maqedoni është 40 për qind dhe është më i ulët për 16 për qind se mesatarja globale. Në vitin që kaloi, sipas anketës, të lumtur janë ndjerë 51 për qind e qytetarëve të Maqedonisë, ndërsa 11 për qind janë prononcuar si të palumtur, 35 për qind as të lumtur e as të palumtur dhe dy për qind nuk kanë pasur përgjigje. Nga ana tjetër, 34 për qind e qytetarëve shpresojnë se viti që filloi do të jetë më i mirë se viti i kaluar, përkundër 25 për qind të cilët konsiderojnë se do të jetë më i keq, 36 për qind prej tyre kanë theksuar se do të jetë i njëjtë, ndërsa pesë për qind nuk kanë ndonjë përgjigje të caktuar. Sipas hulumtimit, 30 për qind e qytetarëve të Maqedonisë konsiderojnë se sivjet do të përkeqësohet prosperiteti ekonomik, ndërsa 25 për qind prej tyre konsiderojnë se do të përmirësohet, 38 për qind kanë vlerësuar se do të mbetet i pandryshuar, ndërsa shtatë për qind nuk kanë ndonjë përgjigje të caktuar. Indeksi i neto optimizmit ekonomik në Maqedoni është me parashenjë negative dhe është minus 5 për qind dhe në krahasim me mesataren globale të dallimit absolut është 28 për qind. Ndryshimet e barometrit në Republikën e Maqedonisë tregojnë se shpresat për vitin 2015 kanë qenë më pak të pranishme, ndërsa shpresat se viti 2016 do të jetë më i mirë se viti 2015 janë rritur në 9 për qind. Në të njëjtën kohë indeksi i optimizmit ekonomik për vitin 2016 është zvogëluar nga vlerat negative –12 për qind, se sa ka qenë në vitin 2015, në minus pesë në vitin 2016”- thuhet në rezultatet nga hulumtimi global i “Brimas” “Fundi i vitit-shpresë dhe lumturi”.
NAIM RAMADANI
