Maqedoni
Nikollovski zbulon krim me subvencionet
04.01.2016 18:07
Zëvendësministri plotësues i Bujqësisë nga radhët e opozitës, Lupço Nikollovski, ka zbardhur dokumente, pas të cilave pretendon se po fshihet krim...

Sipas tij, bashkëpunëtorë të afërt të kryeministrit, Nikolla Gruevski, përkatësisht familja e gazetarit, Milenko Nedellkovski, disponon me 186 hektarë kullota shtetërore, në të cilat familja Nedellkovski kullot vetëm 60 dhi.
“Përderisa blegtorët e tjerë lusin për një copë tokë për të kullot bagëtinë, i përkëdheluri i Nikolla Gruevskit fiton hapësirë prej rreth 250 fusha sporti, ose një pashallëk të tërë. Kjo është edhe një dëshmi se Milenko Nedelkovski, Kurir dhe Sitel gënjejnë dhe manipulojnë opinionin për të mbuluar krimin në dhjetë vitet e kaluara në dëm të bujqve”- deklaroi zëvendësministri plotësues i Bujqësisë, Lupço Nikollovski.
Nikollovski ftoi institucionet përkatëse që të inspektojnë situatën në teren për të parë nëse kjo tokë i është dhënë familjes Nedellkovski veç për të përfituar subvencione që ndahen për kultivimin e dhive.
“Kërkojmë nga Agjencia që bën pagesën të parashtrojë të dhëna se sa subvencione shfrytëzojnë! A shkon inspeksioni në kontroll? A prodhojnë diçka me të vërtetë, apo shfrytëzohen hapësirat vetëm për të marrë shuma në miliona si subvencione”- tha zëvendësministri plotësues i Bujqësisë, Lupço Nikollovski.
Sipas Nikollovskit, ky është viti i ndryshimeve dhe e vërteta për keqpërdorim fondesh buxhetore duhet të dalë në shesh.
SHPËTIM NUREDINI
