Kosovë, opozita fton në protesta, Qeveria dialog në Kuvend
Partitë opozitare në Kosovë, Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma, kanë paralajmëruar vazhdimin e përpjekjeve dhe aktiviteteve...

Partitë opozitare në Kosovë, Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma, kanë paralajmëruar vazhdimin e përpjekjeve dhe aktiviteteve në kundërshtim të politikave që po udhëheq qeveria e koalicionit të dy partive më të mëdha në Kosovë.
Përfaqësues të tri partive opozitare kanë konfirmuar se më 9 janar opozita do të thërrasë një protestë në Prishtinë, në të cilën do të kërkohet që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, disa parime të kësaj marrëveshje nuk ishin në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, andaj opozita kërkon që ajo të anulohet.
Partitë opozitare kanë thënë se protestat do të vazhdojnë, njësoj siç u protestua gjatë katër muajve të fundit, në përpjekje të bllokimit të zbatimit të marrëveshjeve, të cilat, sipas tij, janë të dëmshme për Kosovën.
Protesta e 9 janarit, kanë theksuar, do të jetë paqësore. Kryeministri Mustafa është zotuar se vendimi i Kushtetueses do të respektohet dhe zbatohet në kuadër të statutit dhe se vet dekreti i themelimit të Asociacionit do të vlerësohet nga Kushtetuesja.
Ndërkaq, në lidhje me vazhdimin e përplasjeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës dhe protestës së paralajmëruar për 9 janar, Mustafa ka thënë se pret që qytetarët të rrinë anash dhe të mos bëhen pjesë e skenarëve politik.
