Gripi sezonal, mjekët: Më të prekur fëmijët dhe të moshuarit
Me ndryshimin e temperaturave janë paraqitur simptomat e gripit, siç është kokdhimbja, temperaturat, ethet, dhimbja e muskujve, humbja e oreksit , paaftësitë për punë dhe aktiviteteve të tjera...

Mjeku i përgjithshëm, Sedat Lumani, thotë se kjo gjendje te pacientët vazhdon disa ditë dhe zgjatë deri në një javë.
“Momentalisht ndodhemi në periudhën kur pritet të paraqiten rastet e para, respektivisht të sëmurët nga gripi sezonal ose gripi epidemik… Simptomat e gripit janë përafërsisht të njëjta si simptomat e sëmundjeve respiratore të larta, siç janë doziliteti, faringiteti bakterial ose rino faringiteti, d.m.th. infeksionet e organeve të sipërme të frymëmarrjes, por janë edhe shumë identike me të ashtuquajturën ftohje”- deklaroi mjeku, Sedat Lumani.
Më të prekur nga gripi dhe ftohja janë fëmijët dhe të moshuarit që lëngojnë nga sëmundje të ndryshme, tek të cilët mund të shkaktohen edhe komplikime më serioze shëndetësore.
“Jo rrallëherë e dimë që gripi mund të shkaktojë komplikime, siç janë ato infeksionet bakteriale dhe mund të kemi ndezje të veshit, ndezje të organeve të frymëmarrjes së sipërme, por shpeshherë lëshohet infeksioni edhe në organet e poshtme, siç janë bronkitet, bronco pleumonitë, pleuritet …prandaj gripi nuk është sëmundje që shkakton vdekje ose probleme të mëdha, mirëpo e përgatit organizmin, e ul imunitetin për paraqitjen e infeksioneve tjera bakteriale, që mund të mbarojnë në formë fatale”- tha mjeku, Sedat Lumani.
Për të parandaluar gripin pacientët duhet të kujdesen në mirëmbajtjen e higjienës personale, si dhe ambientit ku jetojnë dhe të vizitohen te mjeku amë për t’i dhënë terapi të nevojshme. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
