Maqedoni
Analistët: Gruevski të dorëhiqet, t’i hap rrugë qeverisë kalimtare
05.01.2016 17:21
Kryeministri, Nikolla Gruevski, duhet të dorëhiqet në pjesën e parë të janarit, për të mundësuar formimin e qeverisë kalimtare

Kryeministri, Nikolla Gruevski, duhet të dorëhiqet në pjesën e parë të janarit, për të mundësuar formimin e qeverisë kalimtare, e cila sipas Marrëveshjes së Përzhinës duhet të formohet më së voni deri më 15 janar, ose 100 ditë para datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Analistët politik thonë se dorëheqja e Gruevskit nuk duhet të lidhet me datën e mbajtjes së zgjedhjeve, por me datën e paraparë për formimin e qeverisë kalimtare, e cila ka për detyrë organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike.
“Deri më 15 janar patjetër se pritet dorëheqja e kryeministrit, Nikolla Gruevski, dorëheqja e tij nuk mund assesi të lidhet me shtyrjen apo me mbajtjen e sigurt të zgjedhjeve të 24 prillit për arsye se qeveria kalimtare ose qeveria e ekspertëve është ajo që do të përgatisë terrenin për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta demokratike, pra për të garantuar dhe për të implementuar një proces të rregullt zgjedhor. Fundi i fundit, Gruevski duhet të japë dorëheqje se ky është faktori që ka ndikuar drejtpërdrejt në zvarritjen e afateve të realizimit të Marrëveshjes së Përzhinës deri më tani”- deklaroi analisti, Mersin Maksuti.
Ndërkaq, analisti, Alajdin Demiri, nuk përjashton mundësinë që Gruevski të manipulojë me datën e zgjedhjeve dhe 100 ditshin për formimin e qeverisë kalimtare. Sipas tij, këtë mund ta bëjë nga frika se përveç postit si kryeministër, Gruevski mund të humb edhe kontrollin mbi VMRO-në.
“Fakti që definohet 100 ditë është shumë i volitshëm për manipulim nga ana e Gruevskit. Mirëpo ajo që është më e rëndësishme është edhe procesi intern, se kush do ta zëvendësojë Gruevskin. Kjo është pika kryesore, e cila do ta shtyjë Gruevskin që të manipulojë me këtë. Frontmenët e VMRO-së, ose siç ishte Jankullovska, Stavrevski, Janakievski etj., nuk funksionojnë si eksponentë për kryeministër, atëherë duhet të gjendet njeriu i besueshëm i pushtetit, por jo i eksponuar. Këtu lindin vështirësi se VMRO mund t’i ikë prej dore Nikolla Gruevskit”- tha analisti, Alajdin Demiri.
Me Marrëveshjen e Përzhinës nuk caktohet datë fikse se kur Gruevski duhet të lëshojë postin e kryeministrit, por caktohet afati i fundit deri kur duhet të zgjidhet qeveria kalimtare, që lë të kuptohet se dorëheqja duhet të ndodhë para kësaj date.
Përkatësisht në Protokollin e Marrëveshjes së Përzhinës thuhet se: “Qeveria e re duhet të betohet më 15 janar, 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të duhet të mbahen më 24 prill të vitit 2016.”
Në ndërkohë, është paralajmëruar vizita e komisarit për zgjerim, Johanes Han, i cili pritet të vijë në Shkup për të parë nga afër zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës, edhe pse jozyrtarisht mësohet se është i pakënaqur nga shkelja e afateve.
Qëllimi final i Marrëveshjes së Përzhinës është organizimi i zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, nga të cilat do të varet fati i negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.
SHPËTIM NUREDINI
