Tensionohen marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe Iranit
Arabia Saudite nuk mund ta fshehë “krimin e saj” duke e ekzekutuar klerikun e njohur shiit me shkëputjen e lidhjeve me Teheranin, ka deklaruar presidenti i Iranit, Hassan Rohaninë, në faqen e tij në internet...

Arabia Saudite, Bahreini dhe Sudani i kanë ndërprerë lidhjet me Iranin, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe ditën e hënë e kanë ulur nivelin e raporteve, pasi Ambasada e Arabisë Saudite në Teheran ishte shkatërruar nga demonstruesit.
Sot, Kuvajti e ka tërhequr ambasadorin e tij nga Teherani. Qeveria e Iranit e ka distancuar vetveten nga sulmi në ambasadë dhe i ka fajësuar elementet e jashtme për organizimin e sulmit. Teherani ka vlerësuar se sulmi ishte “i dyshimtë” dhe se ishte “në favor të politikave të Arabisë Saudite”. Reagime të menjëhershme kanë arritur nga ndërkombëtarët. Arabia Saudite dhe Irani ia kanë me borxh komunitetit ndërkombëtar që të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre në Lindjen e Mesme dhe të fokusohen në kundërshtimin e grupit militant “Shteti Islamik” ka thënë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, për gazetën “Bild”.
Nga ana tjetër, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar fuqishëm sulmin ndaj Ambasadës saudite në Teheran, duke ju bërë thirrje autoriteteve iraniane që “të mbrojnë pronën dhe personelin diplomatik e konsullor, si dhe të respektojnë obligimet ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje”.
Ndryshe, Josh Ernest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, pasi dënoi ekzekutimin me vdekje të disa personave në Arabinë Saudite, tha se Uashingtoni më herët ka paralajmëruar mbi dënimin me vdekje të Ajetollah Nemer Bager Al Nemer, mirëpo Riadi nuk i ka marrë parasysh seriozisht këto paralajmërime. Ernesti foli edhe mbi tensionet e fundit mes Iranit dhe Riadit dhe shprehu shqetësimin se këto tensione do të bëhen shkak që zgjidhja politike e krizës në Siri të vështirësohet akoma më shumë. (Leunora Kaliqi, TVM2)
