Botë
Një vit nga terrori, “Charlie Hebdo” provokon sërish
06.01.2016 11:12
“Karikatura e Zotit me një armë në shpinë”, këtë mesazh përcolli stafi i reduktuar i Revistës satirike të “Charlie Hebdo” pikërisht në ditën që shënoi njëvjetorin e masakrës së terroristëve të ISIS-it në Paris...

Kopertina ka shkaktuar një reagim të gjerë te të gjithë besimtarët, si ata të krishterë, ashtu dhe te myslimanët. Titulli që mban numri special i revistës është “Vrasësi i vërtetë mbetet ende në kërkim”, duke iu referuar kështu Zotit. Në brendësi të revistës janë edhe karikaturat e viktimave, si dhe një editorial i shkruar nga drejtori i tanishëm, Laurent Sourisseau. Në editorial, ai dënon të gjithë personat, që, sipas tij, u janë fashitur sytë nga feja.
Ndërkohë, në njëvjetorin e masakrës së Parisit, me nismën e presidentit francez, Francois Hollande, në kryeqytet është vendosur një pllakë mermeri, ku janë gdhendur emrat e 11 viktimave të “Charlie Hebdo”, por gjatë ceremonisë zyrtare u vu re se, emri i njërit prej viktimave ishte shkruar gabimisht. Kjo është diktuar nga gazetarët, të cilët ishin të pranishëm në ish-zyrat e “Charlie Hebdo” dhe që vunë re gabimin te mbiemri i Georges Volinski. Për këtë gjë është premtuar korrigjimi brenda 48 orëve të ardhshme.
Franca përkujton këtë javë viktimat e sulmit terrorist të militantëve të “Shtetit Islamik” në redaksinë e revistës satirike dhe në një market, me eulogji dhe ceremoni përkujtimore. Më datat 7-8-9 janar në Paris do të mbahen ceremoni në nder të 17 viktimave, ndërkohë që kryeqyteti francez është nën masa të rrepta sigurie, që prej sulmeve të nëntorit që i morën jetën edhe 130 personave të tjerë.
“Charlie Hebdo”, e njohur për kopertinat e saj satirike për liderët fetarë dhe politikë, humbi stafin e saj në mëngjesin e 7 janarit të vitit 2015 teksa 2 militantë të “Shtetit Islamik” arritën të hyjnë në ambientet e redaksisë dhe hapën zjarr.
LEUNORA KALIQI
