Sportet E Tjera

Rally Dakar, Loeb fiton edhe etapën e tretë

06.01.2016 12:02

Sebastian Loeb thjesht i papërmbajtshëm...

Piloti francez, nëntë herë kampion i botës në kampionatin botëror të Rally-t, triumfoi edhe në etapën e tretë të Rally Dakar me Peugeot e tij, nga Termas de Rio Hondo në San Salvador de Jujuy, një etapë e gjatë 663 kilometra e karakterizuar nga moti i keq me rrebeshe shiu.

Loeb e përshkoi këtë distance 1 minutë e 23 sekonda me shpejt se shoku i tij i skuadrës, Carlos Sainz. I treti u rendit piloti nga Katari, Nasser Al Attiyah. Edhe pse ky është vitit i parë në Rally Dakar, Loeb po dominon në këtë kategori duke konfirmuar se mbetet një legjendë e këtij sporti. Në kategorinë e motorëve, vjen suksesi i Hondas.

Fillimisht u shpall fitues Joan Barreda, por penalizimi me një minutë e detyroi spanjollin t’ia linte vendin e parë shokut të tij të skuadrës, Kevin Benavides, ndërsa i dyti u klasifikua portugezi Paulo Goncalvez.

Vendi i tretë shkoi për Antoine Meo, që sikurse Loeb garon për herë të parë në Rally Dakar. Në renditjen e përgjithshme kryeson sllovaku Stafan Zvitko me 34 sekonda më pak se argjentinasi Benavides.

Për shkak të motit të keq gara e kamionëve u pezullua, pasi disa pjesë e itinerarit ishin bërë të pakalueshme dhe përbenin rrezik për pilotët.