Basketboll

Golden State thyen edhe Lakers, Dallas kalon Sacramenton

06.01.2016 12:15

Golden State nuk di të ndalet në NBA ku siguron një tjetër sukses, këtë herë ndaj Los Angeles Lakers 109-88...

Kampionët në fuqi arritën fitoren e 33 sezonale në 35 takime të luajtura falë 36 pikëve të shënuara nga Klay Thompson.
 
Nuk shkëlqeu në mbrëmjen kaliforniane Stephen Curry që regjistroi vetëm 17 pikë dhe e mbylli ndeshjen në pankinë për shkak të një dëmtimi në këmbë. Në krahun tjetër, për Lakersat Jordan Clarkson me 23 pikë nuk mjaftoi që skuadra të funksiononte gjatë 4 periodave duke konfirmuar momentin negativ, ndërsa Kobe Bryant nuk zbriti në parket për shkak të problemeve me shpatullën.
 
Në Dallas, vendasit fituan 117-116 kundër Sacramento Kings. Deron Williams regjistroi 25 pikë me një 3 pikësh në sekondat e fundit që i dhuroi suksesin skuadrës teksane. Formë të mirë tregoi edhe Dirk Nowitzki, i cili arriti ta çonte ndeshjen në kohën shtesë me një goditje të saktë 1.2 sekonda nga mbyllja e takimit.
 
Moment i artë edhe për Jimmy Butler që me 32 pikët e tij shtyu Chicagon drejt suksesit të radhës 117-106 kundër Milwaukee Bucks. Në këtë mënyrë, skuadra nga Ilinois mban vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm të Divizionit të Lindjes, ndërsa Milwaukee regjistron humbjen e 23 sezonale. 
 
Një tjetër takim interesant ishte edhe ai mes New York e Atlantas ku skuadra nga Molla e Madhe u imponua 107-101 falë 46 pikëve që realizoi në total dyshja Carmelo Anthony-Arron Afflalo.