Botë
Shqipëri, përmbytje në veri, probleme në Tiranë dhe Elbasan
06.01.2016 14:00
Shqipëria është përfshirë sot nga reshjet e dendura të shiut, me pasojë përmbytje...

Më problematik paraqitet qyteti i Lezhës, ku janë evakuuar disa familje të rrezikuara, ndërsa lumi Ishëm në Fushë Krujë ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar mjaft probleme.
Në Bulqizë rrezikohet argjinatura e lumit Drin. Forca të Ministrisë së Mbrojtjes janë në gatishmëri për të evakuuar rreth 200 banorë, nëse do të jetë e nevojshme. Gjithashtu në Fushë Bulqizë rrezikohen disa banesa nga përmbytjet. Shirat me intensitet të lartë kanë sjellë probleme edhe në zonën e Elbasanit. Si pasojë e prurjeve të shumta të përroit të Zaranikës është çarë argjinatura dhe rrezikohen disa banesa.
Ndryshe nga viti i kaluar, në Fier dhe Vlorë nuk ka pasur probleme. Lidhur me situatën e përmbytjeve, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, tha se nuk ka vend për panik dhe se situata është nën kontroll.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet për shkak të reshjeve të shumta të shiut, që kanë mbushur lumin e Lanës, i cili ka dalë nga shtrati.
Në Babrru janë evakuuar 25 familje, pasi shtëpitë e tyre rrezikoheshin nga përmbytjet. Në Paskuqan është çarë tubacioni i ujit të pijshëm, që furnizon qytetin e Tiranës, dhe po punohet për riparimin e tij.
Ndërsa sa i përket akseve rrugore, probleme ka pasur kryesisht në veri të Shqipërisë, ku përveç rrugëve të bllokuara nga dëbora ka pasur edhe shembje dherash. Rrëshqitje dherash ka pasur edhe në Kukës si dhe në Bulqizë.
LULJETA NDOKA
