Besimtarët ortodoksë sot festojnë Buzmin, nesër ortodoksët festojnë Krishtlindjet

06.01.2016 15:11

Besimtarët krishterë ortodoksë në Maqedoni sot festojnë Buzmin, një ditë para Krishtlindjeve...

Buzmi tradicionalisht u shënua me tubimin para Tempullit "Shën Klimenti i Ohrit" në Shkup. Pjesë e manifestimit ishte edhe shenjtërimi i degëve të Buzmit, naforës, rakisë së nxehtë dhe çajit. Arkipeshkvi i Ohrit dhe njëkohësisht edhe i Maqedonisë, z.z.Stefani, në fjalimin e tij përcolli urime për të gjithë qytetarët qëllimmirë dhe ia dorëzoi qypin kumbarit të ri të Buzmit.

“Kisha e shenjtë, posaçërisht në këtë ditë, na fton për të treguar vullnetin  e  mirë, për të ndërtuar dhe për të mbajtur paqe me të gjitha kombet, mbushur me gëzimin e krishtlindjeve, për të marrë pjesë në forcimin e unitetit shpirtëror dhe kombëtar në mesin e njerëzve tanë, pavarësisht ku jetojmë, në vendin tonë apo diku nëpër botë”- deklaroi arkipeshkvi i Ohrit dhe i Maqedonisë, z.z.Stefani.

Festa e Krishtlindjeve festohet në kujtim të lindjes së Jezu Krishtit. Kjo festë është gjenezë e të gjitha festave kishtare, për shkak se me lindjen e Krishtit llogaritet edhe fillimi i erës së re. Familjet ortodokse për Buzmin mblidhen në darkë të përbashkët dhe sipas traditës këtë natë nuk shkohet mysafirë dhe bëhet tryezë e pasur kreshmore.

Nikoqirët përpiqen të ofrojnë pak nga të gjitha asortimentet, që t'u pasurohet tryeza gjatë tërë vitit. Gatuhet kulaç, ndërsa në disa vende bëhen lakrorë, në të cilat futet monedhë. Besohet se ai tek i cili do të bjerë monedha, do ta ndjekë fati gjatë tërë vitit. Gjithashtu, natën e festës në zjarr vendoset një degë buzmi, i cili llogaritet si dru i shëndetshëm, që të jenë me shëndet të gjithë në familje.

Me rastin e kësaj feste, urime te besimtarët ortodoksë kanë përcjellë krerët shtetëror dhe politik në vend. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)