Maqedoni
Moti, në pjesën më të madhe të vendit reshje dhe mjegull
06.01.2016 16:57
Koha me reshje dhe me mjegull të dendur e ka kapluar një pjesë të vendit, që ka ulur dukshmërinë dhe vështirësuar skajshmërisht qarkullimin në komunikacion...

Mjegulla e dendur ka bërë që të vështirësojë kryerjen e obligimeve ditore, si dhe zhvillimin e komunikacionit rrugor dhe ajroj në disa pjesë të vendit. Shkaku i mjegullës janë anuluar edhe fluturimet për në Beograd dhe Stamboll.
Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike paralajmërojnë se shiu do të vazhdojë të bie me intensitet të lartë deri në mbrëmje.
“Koha është e lagësht, ka paraqitje të mjegullës me dukshmëri të zvogëluar deri më rreth 15 metra. Mirëpo kemi edhe reshje të shiut, sidomos në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të vendit. Deri në fund të ditës do të mbajë kohë me shi, reshje më të mëdha do të ketë në pjesën perëndimore të vendit, ku pritet që të bie rreth 50 litra në metër kub”- deklaroi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.
Kohë me shi dhe me mjegull parashikohet të ketë edhe gjatë mëngjesit të nesërm, informojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, të cilët thonë se prej nesër pasdite koha do të stabilizohet.
Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë rekomandon kujdes në drejtimin e automjetit, shpejtësi të adaptuar gjatë qarkullimit dhe respektim të sinjalizimit të vendosur rrugor.
Kujdes të veçantë duhet pasur në akset të cilat kalojnë përmes grykave malore, veçanërisht në akset rrugore Katllanovë–Veles, Mavrovë–Dibër–Strugë, Gostivar–Mavrovë, Demir Kapi–Udovë, Koçan–Dellçevë, Vinicë–Berovë, ku mund të paraqiten shembje të vogla të dheut.
ERSAN PAJAZITI
