Maqedoni

Tetovë, pas mbylljes së “Jugohromit” ulet ndotja e ajrit

06.01.2016 17:03

Pas mbylljes së “Jugohromit”, tetovarët po thithin ajër më pak të ndotur...

Grimcat PM10 këtyre ditëve janë ulur dukshëm, megjithëse ndotja e ajrit mbetet ende mbi limitin e lejuar. Qytetarët thonë se po e ndjejnë ndryshimin.    
                       
“Ndryshimet janë të mëdha, pastrimi i ajrit është në nivel, d.m.th. negativiteti është tek ‘Jugohromi’, kjo duhet të zgjidhet një herë e përgjithmonë, pa pastrimin, pa filtra ajo nuk duhet rihapur”- deklaroi një qytetar. 
 
“Është bërë pak, fort pak, duket pak më mirë. Pa vendosjen e filtrave nuk duhet rihapur, gjithë ky popull që heq për filtra, është rëndë ajo”- tha një qytetar. 
 
Ministri i Ekologjisë, Nuran Izairi, kërkon që drejtuesit e kombinatit “Jugohrom” të respektojnë ligjin dhe të vendosin filtrat, por po ashtu përkujtoi se çdo njëri prej nesh është ndotës potencial, prandaj edhe çdo njëri mund të kontribuojë në reduktimin e ajrit të ndotur.  
 
“Prej këtij momenti u bëj apel që sa më shpejtë të fillojnë të vendosin filtrat dhe do të jetë më mirë edhe për ata edhe për punëtorët, por edhe për të gjithë ne. Me rëndësi është edhe një bashkëpunim i ndërsjellë mes qeverisë, ministrisë, pushtetit lokal dhe qytetarëve dhe gjithë faktorëve, sepse çdo njëri prej nesh është ndotës potencial dhe çdo njëri prej nesh mund të kontribuojë të paktën për të reduktuar ndotjen. Shumë shpejt do të dalim me analizë rreth përqindjes së secilit ndotës në vend”- tha ministri i Ekologjisë, Nuran Izairi.
 
Nga ana tjetër, ekspertët e vlerësojnë se Tetovës i duhet një zgjidhje afatgjate dhe një studim i mirëfilltë, duke analizuar gjitha indikatorët që ndikojnë në ndotjen e ajrit.
 
Ata po ashtu theksojnë se Komuna e Tetovës në afat sa më të shkurtër duhet të vendos komunikacion urban. 
 
“Zgjidhja të cilën e ka ndërmarrë ‘Jugohromi’ është një zgjidhje afatshkurte, zgjidhje afatgjate është ‘Jugohromi’ të vendos filtrat, sepse kemi parasysh vitet e kaluara, ndotja ka qenë gjatë tërë vitit, edhe gjatë dimrit edhe gjatë verës, ku kryesisht gjatë verës nuk kemi përdorim të lëndës djegëse për dru, atëherë i vetmi burim i ndotjes është ‘Jugohromi’ dhe komunikacioni. Qyteti i Tetovës është mirë të ketë një komunikacion urban dhe të zvogëlohej numri i automjeteve që lëvizin nëpër brenda qytetit”- theksoi profesori i ekologjisë, Hasan Idrizi. 
 
Ekspertët pohojnë se edhe pse “Jugohromi” është ndotësi kryesor, në Pollog ka edhe faktorë tjerë, si komunikacioni, ngrohja apo djegia e mbeturinave nga ana e qytetarëve.
 
VISAR SADIKI