Zgjedhjet e 24 prillit, analistët: Maqedonia s’mund t’u ikë zgjedhjeve
Maqedonia nuk mund t’u ikë zgjedhjeve të 24 prillit, vlerësojnë analistët politik, Naser Zyberi dhe Albert Musliu, por mundet me kushtin e vetëm, duke i’u përmbajtur marrëveshjes politike...

Analistët, Zyberi dhe Musliu, thonë se kjo do të konfirmohet edhe me ardhjen e eurokomisarit Hahn në Shkup, i cili do të vlerësojë implementimin e deritanishëm të marrëveshjes politike.
“Gjasat janë të mjaftueshme që zgjedhjet megjithatë të mbahen dhe të përshpejtohet dinamika e implementimit të disa çështjeve të cilat kanë mbetur pa u realizuar në rend të parë rreth ekipit të komisionit shtetëror zgjedhor dhe përpilimit të listës së azhurnuar zgjedhore, mbylljes së pakos rreth mediave dhe ekipimin e mjaftueshëm të prokurorit special”- deklaroi analisti, Naser Zyberi.
“Nëse prej tash e deri më 10 prill përmbushen të gjitha parakushtet, përfshirë këtu edhe mediat, pastrimin e listave dhe krijimin e ambientit për zgjedhje fer dhe demokratike. Nëse ambienti dhe implementimi i gjithë këtyre parakushteve konfirmohet edhe nga subjektet të cilat janë të paanshme, d.m.th. komisari Hahn, shoqëria civile dhe të gjithë ata mekanizmave monitorues, të cilët janë tash prezent në Maqedoni, atëherë gjithsesi se zgjedhjet do të mbahen më 24 prill, si është e parashikuar”- tha analisti, Albert Musliu.
Analisti Zyberi thotë se zgjedhjet janë jetike për të ardhmen evropiane të Maqedonisë. Derisa Musliu konsideron se me mbajtjen e zgjedhjeve do të kthehet besimi tek institucionet.
“Maqedonia, gjithsesi, ka interes jetik që zgjedhjet të mbahen më 24 prill, për arsye se në qershor Komisioni Evropian do të duhet që të deklarohet për progresin e Maqedonisë dhe për mbajtjen ose heqjen e rekomandimit për fillim të negociatave, sepse rekomandimi i fundit ishte i kushtëzuar nga suksesi i zgjedhjeve të 24 prillit”- theksoi analisti, Naser Zyberi.
“Maqedonia prej zgjedhjeve të parakohshme nuk mund të largohet, pasi që ato janë një prej shtyllave të kthimit të besimit të qytetarëve në institucionin e zgjedhjeve dhe në institucionet tjera të cilat kanë marrë pjesë në të kaluarën në organizimin e zgjedhjeve”- u shpreh analisti, Albert Musliu.
Zgjedhjet e 24 prillit janë pika kulminante e Marrëveshjes së Përzhinës. Këtyre ditëve pritet edhe dorëheqja e kryeministrit, Nikolla Gruevski, në mënyrë që më 15 janar të konstituohet qeveria teknike. Ndërkohë pritet edhe ardhja e eurokomisarit, Johanes Hahn, në Shkup. (Meral Ismaili, TVM2)
