Kosovë, reshjet e shiut shkaktuan vërshime

06.01.2016 17:23

Reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar vërshime edhe në disa pjesë të Kosovës, përfshi edhe Prishtinën, duke dëmtuar edhe rrugët...

Në pjesën te Pallati i Drejtësisë në Prishtinë, rruga që shpie për në Hajvali, ka pësuar dëmtime nga shembjet e dheut. Shiu ka sjellë probleme të mëdha edhe në qytetin e Suharekës, ku rënia e pandërprerë e shiut dhe shkrirja e borës ka vërshuar pothuajse gjithë qytetin.

Një pjesë e ujit ka shkaktuar edhe dëme materiale në disa shtëpi dhe lokale afariste. Reshjet e fundit në Kosovë kanë përfshirë edhe Komunën e Drenasit, ku janë vërshuar kryesisht zonat përreth lumit Drenica. Por, zyrtarët komunal thotë se gjendja është nën kontroll dhe nuk ka nevojë për panik.

Për shkak të motit të keq dhe mjegullës janë anuluar edhe disa fluturime nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”. (Leunora Kaliqi, TVM2)