Berlin, Merkel merr 4 pako të dyshimta

06.01.2016 18:02

Katër pako postare me ngjyrë të verdhë të braktisura në dëborë janë gjetur para zyrës së kancelares në Berlin...

Pas kontrollit, autoritetet thanë se pakot ishin të parrezikshme. Paraprakisht, Policia gjermane bllokoi hyrjen kryesore të godinës në zyrën e kancelares. Ata evakuuan  menjëherë personat që ndodheshin pranë, për të ekzaminuar katër pakot. Gjithsesi, ministrat e kabinetit të kancerlares, Angela Merkel, kanë ndjekur agjendën e tyre, duke zhvilluar edhe mbledhjen e parashikuar.

Në vitin 2010, policia arriti të parandalonte dërgimin e një pakoje me eksploziv në zyrën e Merkelit. Pas hetimeve, u mësua se dërgesa vinte nga Greqia.

Merkel është në qendër të kritikave ditët e fundit për vendimin e saj për të futur në vend një milion emigrantë. Pakot vijnë pak ditë pasi Gjermania u shokua nga ngacmimet seksuale dhe përdhunimet e bëra në Këln në natën e Vitit të Ri nga një bandë prej një mijë personash me origjinë afrikano-veriore dhe arabe.