Hoxhaj zëvendëson Thaçin
Ish – ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, është opsioni më i mundshëm që ta marrë drejtimin e diplomacisë kosovare, thonë burime të “Zërit” brenda PDK-së...

Zgjedhja e zëvendëskryeministrit dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në postin e presidentit mund ta rikthejë në krye të diplomacisë ish – ministin Enver Hoxhaj. Mësohet se ai është kandidati më i mundshëm për ta marrë postin e kryediplomatit kosovar, i cili aktualisht drejton Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme.
Burime të “Zërit” kanë thënë se janë disa opsione, por më i përafërt është opsioni i rikthimit të ish-ministrit Hoxhaj.
Gjatë kësaj kohe sa Kuvendi është në pushim para nisjes së sesionit pranveror, sipas burimeve të “Zërit”, po diskutohen edhe opsione tjera.
E, njëra prej tyre është edhe ndërrimi i ministrave në kabinetin qeveritar. Pas zgjedhjes së Thaçit në postin e presidentit, njëri nga opsionet e menduar është edhe emërimi i ministrit aktual të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, në postin e kryediplomatit, derisa PDK-ja ta marrë drejtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mirëpo ky opsion shihet si vështirë i realizuar. (Zëri)
