Botë
Libi, nga sulmi me bombë së paku 50 të vrarë
07.01.2016 17:23
Së paku 50 persona janë vrarë dhe afro 100 të tjerë janë plagosur sot nga një sulm me kamion–bombë në një qendër stërvitore të policisë në qytetin Zilten të Libisë...

Së paku 50 persona janë vrarë dhe afro 100 të tjerë janë plagosur sot nga një sulm me kamion–bombë në një qendër stërvitore të policisë në qytetin Zilten të Libisë, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Mohammed Ammar.
Ky ishte njëri nga sulmet më vdekjeprurëse që e ka goditur këtë vend të përfshirë nga konflikti. Kamioni ka eksploduar në këtë qendër derisa qindra rekrutë ishin mbledhur aty, ka thënë prefekti i qytetit Zilten, Miftah Lahmadi.
Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, por konsiderohet se ai është kryer nga lojalistët e grupit ekstremist, “Shteti Islamik”. I dërguari i Kombeve të Bashkuara në Libi, Martin Kobler, e ka dënuar sulmin dhe ka bërë thirrje për unitet kombëtar.
Prej kryengritjes së vitit 2011, kur u përmbys diktatori, Muammar Gadaffi, Libia është në kaos, meqë grupet e ndryshme të armatosura luftojnë për territore dhe kontroll të naftës.
Muajin e kaluar, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka mbështetur marrëveshjen paqësore të ndërmjetësuar nga OKB-ja ndërmjet grupeve të ndryshme në Libi, për formimin e qeverisë së unitetit kombëtar.
Perëndimi shpreson se kjo marrëveshje, që në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është mbështetur unanimisht më 23 dhjetor të vitit të kaluar, do të sjellë stabilitet dhe do të ndihmojë në luftimin e pranisë në rritje të grupit militant, “Shteti Islamik”, në Libi.
