Obama në mbrojtje të Koresë së Jugut dhe Japonisë
Presidenti amerikan, Barack Obama, e ka riafirmuar përkushtimin amerikan për mbrojtjen e Koresë Jugore dhe Japonisë dhe është shprehur për ndërmarrje të aksionit të fuqishëm kundër Koresë Veriore për testin e bombës hidrogjenik...

Në bisedat telefonike me presidenten jug-koreane, Park Geun-Hye, dhe kryeministrin japonez, Shinzo Abe, Obama është pajtuar se aleatët duhet “të punojnë së bashku për forcimin e unitetit dhe për përgjigje të fuqishme ndërkombëtare ndaj sjelljes së fundit të pamatur të Koresë Veriore”- ka njoftuar sot Shtëpia e Bardhë.
Departamenti amerikan i shtetit po ashtu njoftoi se edhe sekretari i shtetit, John Kerry, ka pasur biseda të ngjashme me ministrat e jashtëm të Koresë Jugore dhe Japonisë. Pas provës së pajisjes atomike të Koresë Veriore në vitin 2013, Uashingtoni kishte dërguar aeroplanë bombardues “të padukshëm” të tipit B-2, me kapacitet bërthamor, mbi hapësirën e Koresë Jugore. Por, Shtëpia e Bardhë thotë se dëshmitë e para sugjerojnë se Koreja Veriore nuk e ka testuar me sukses bombën hidrogjenike, siç ka pretenduar Pheniani. “Analizat iniciale nuk janë në përputhshmëri me pretendimet e Koresë Veriore për test të suksesshëm të bombës hidrogjenike”- ka deklaruar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki-moon, ka reaguar ndaj testimit të katërt bërthamor të Koresë së Veriut, duke e cilësuar si “thellësisht shqetësues” dhe njëkohësisht destabilizues për sigurinë rajonale.
