Aksioni policor “Gora”, ngrihen kallëzime penale kundër gjashtë personave
07.01.2016 18:04
Në kuadër të aksionit policor “Gora”, Sektori për Punë të Brendshme në Shkup ka ngritur kallëzime penale kundër gjashtë personave...

Në kuadër të aksionit policor “Gora”, Sektori për Punë të Brendshme në Shkup ka ngritur kallëzime penale kundër gjashtë personave të cilët kanë qenë të përfshirë në katër raste të ndara, si vjedhje, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentacionit zyrtar, ndihmë dhe falsifikim ose shkatërrim të librave afariste.
Me këtë rast janë konfiskuar afër 18 metra kub dru për ngrohje, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë 100 mijë denarë.
“Në rastin e parë është ngritur padi penale për vjedhje kundër 53 vjeçarit nga Shkupi, i cili, në kundërshtim me ligjin, nga një pyll i huaj ka prerë rreth nëntë metra drunj, të cilët kanë qenë të ndaluar të priten. Ato më pas i ka ngarkuar në një automjet drejtuar nga një person tjetër, që të transportohen në shtëpinë e tij, në fshatin Haraçinë. Por, rrugës afër fshatit Kuçevishtë automjeti është ndaluar nga policia”- deklaroi zëdhënësja e MPB-së, Liza Bendevska.
Edhe tre rastet e tjera kanë të bëjnë me denoncim të personave nga Shkupi për keqpërdorim të detyrës zyrtare në stacionin policor të pyjeve në Shkup për transportim të jashtëligjshëm të drunjve, vjedhje të drunjve në fshatin Lubanc, si dhe prerje dhe transport të jashtëligjshëm të drunjve nga fshati Patishka Rekë të Shkupit.
MERAL ISMAILI
