Botë
Disa pjesë të Kosovës përballen me pasojat e vërshimeve
07.01.2016 16:52
Reshjet e ditëve të fundit dhe ngritja e temperaturave që çoi në shkrirjen e borës, shkaktuan përmbytje në disa rajone të Kosovës...

Më të goditurat ishin Komuna e Malishevës, e Drenasit në Kosovën qendrore, Suhareka në jug-perëndim dhe Komuna e Shtimes, por pjesërisht edhe vet kryeqendra e Kosovës, Prishtina. Lumenj dhe përrenj të vegjël dolën nga shtrati i tyre, duke përmbytur edhe pjesë të rrugëve kombëtare, përfshi edhe rrugën e Kombit.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka deklaruar se si pasojë e daljes nga shtrati i lumit Mirusha, e ka vërshuar qendrën e kësaj komune, por edhe pothuajse çdo fshat të saj.
Zyrtarë nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, kanë bërë të ditur se dëmet e shkaktuara nga vërshimet janë të mëdha.
Shefi i kësaj Qendre, Mahir Hasani, ka deklaruar se gjendja në komunat ku ka pasur vërshime është e rëndë, megjithëse aktualisht gjendja ka filluar të qetësohet, pasi ka filluar të bie niveli i ujit nëpër lumenj.
Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga mekanizmat kompetentë të sigurisë dhe emergjencave që të koordinohen me autoritetet lokale në komunat ku ka pasur vërshime, si dhe t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të tejkaluar këtë situatë dhe për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve.
Ndërsa nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës nuk vijnë lajme të mira, pasi, sipas tyre, gjatë tri ditëve në vijim prurjet e ujit dhe niveli nëpër shumicën e lumenjve të Kosovës do të karakterizohet me rritje graduale.
Situatë e tillë do të vazhdojë deri më 10 janar, kur niveli i ujit do të ulet gradualisht.
BELINDA KOKA ADEMI
