Botë
Shqipëri, reshjet e dendura të shiut shkaktuan probleme pothuajse në të gjithë vendin
07.01.2016 17:01
Vijon të jetë mjaft problematike situata e përmbytjeve në Shqipëri. Qindra familje kanë lënë banesat pasi jeta e tyre rrezikohej seriozisht...

Më e rëndë gjendja paraqitet në Lushnjë, ku për shkak të çarjes së një argjinature 500 familje i kanë shtëpitë nën ujë.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka nisur 50 trupa të FA drejt Lushnjës për t’i ardhur në ndihmë situatës së përmbytjeve.
Situata kritike vijon të mbetet në zonën e Shijakut, ku janë evakuuar rreth 200 familje.
Edhe në Lezhë situata vijon të mbetet problematike, megjithatë paraqitet më e stabilizuar se dita e djeshme.
Uji ka nisur të tërhiqet nga zonat e përmbytura, ndërsa banorët kanë nisur të rikthehen në shtëpitë e tyre.
Ata shprehen se e kanë kaluar natën duke bërë roje nga frika e rikthimit të përmbytjeve.
Ndërkohë, në Fushë-Krujë janë përmbytur 26 banesa dhe rreth 700 hektarë tokë bujqësore, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Ishëm.
Në Elbasan ka pasur rrëshqitje dherash, të cilat kanë sjellë edhe bllokime të akseve rrugore.
Autoritetet shtetërore u kanë bërë thirrje banorëve që të kenë kujdes pasi mund të ketë edhe përmbytje të tjera.
LULJETA NDOKA
