Maqedoni

Shtypi grek për vizitën e Ahmetit në Athinë: ShBA-të dëshirojnë zgjidhje të kontestit të emrit

07.01.2016 17:03

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të arrihet zgjidhje rreth kontestit të emrit dhe në këtë drejtim angazhojnë persona zyrtarë...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të arrihet zgjidhje rreth kontestit të emrit dhe në këtë drejtim angazhojnë persona zyrtarë dhe personalitete të tjera për të krijuar klimë të përshtatshme për arritjen e një marrëveshjeje.
 
Kështu shkruajnë mediat greke një ditë para takimit të delegacionit të BDI-së, të udhëhequr nga kreu, Ali Ahmeti, më shefin e Diplomacisë greke, Nikos Kotzias, gjatë ditës së nesërme. 
 
Gazeta e njohur “To Vima” shkruan se Departamenti i Shtetit për së afërmi ndjek zhvillimet në Ballkan, duke përfshirë edhe ecurinë e kontestit të emrit.
 
Pala amerikane inkurajon iniciativa të ndryshme në kuptim të përforcimit të kontakteve mes shoqërisë qytetare greke me ato maqedonase dhe për këtë janë angazhuar personalitete nga më të ndryshmit për të kultivuar një klimë të përshtatshme, ku do të arrihej tejkalimi i kontestit të emrit, shkruan “To Vima”. 
 
Sipas portalin grek “News In”, indikatorë të ndryshëm pohojnë se  VMRO –DPMNE-ja do të jetë fituese e zgjedhjeve të prillit, ndërkaq është e paqartë se për cilat arsye kjo parti do ta ndryshojë qëndrimin rreth çështjes së emrit, shkruan “News In”.
 
Shefi i BDI-së, Ali Ahmeti, në përbërje të delegacionit prej Musa Xhaferit, Fatmir Besimit dhe Artan Grubit, nesër do të takohen me shefin e Diplomacisë greke, Nikos Kotzias, për të biseduar për marrëdhëniet mes dy shteteve, duke përfshirë këtu edhe çështjen e emrit, si dhe për procesin integrues të Maqedonisë.
 
Ndërkaq, nga Ministria e Jashtme greke kanë bërë të ditur se në takim nuk do të merr pjesë ambasadori i Maqedonisë në Athinë, Darko Angelov. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU