Maqedoni

Kuvendi nesër nis punimet, pikat e nxehta ende nuk janë në agjendë

07.01.2016 17:49

Obligimet e shumta të mara nga BE dhe as afatet për zbatimin e marrëveshjes politike të dy qershorit nuk kanë qenë motiv...

Obligimet e shumta të mara nga BE dhe as afatet për zbatimin e marrëveshjes politike të dy qershorit nuk kanë qenë motiv dhe as arsye e mjaftueshme për t’u prishur komoditetin e festave të fundvitit të zgjedhurve të popullit.
 
Pas shtatë ditë pushim, Kuvendi Republikan të premten i fillon punimet për këtë vit kalendarik. Edhe pse të vonuar në realizimin e detyrave nga KE-ja, në agjendën e Kuvendit ende nuk është paraparë seancë e posaçme për shkarkimin e Qeverisë në detyrë, në krye me kryeministrin, Nikolla Gruevski, dhe as seancë për zgjedhjen e qeverisë kalimtare, e cila sipas Marrëveshjes së Përzhinës duhet të japë betimin më 15 janar.
 
As kryetari i Komisioni Anketues për skandalin me përgjimet, Petre Shilegov, nuk e ka caktuar vazhdimin e seancës ku duhej të dëgjohet ministri i Financave, Zoran Satverevski, por as kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, nuk i është përgjigjur kërkesës së anëtarëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së, që të caktojë seancë të Komisionit për skandalin me përgjimet, pasi kryetari i Komisionit, Petre Shilegov, nuk po e bën një gjë të tillë.
 
Mirëpo në agjendën e kuvendit është vendimi për themelimin e një komisioni tjetër anketues, përkatësisht themelimi i Komisionit Anketues për skandalin me fabrikën për falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave, aferave dhe dokumenteve të tjera. 
 
Komisioni për Çështjen e Zgjedhjeve dhe Emërimeve nesër do të ratifikojë propozim-vendimin për zgjedhjen e kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Anketues për skandalin me fabrikën për falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave, aferave dhe dokumenteve të tjera. 
 
Një çështje tjetër, që buron nga Marrëveshja e Përzhinës, e  që së shpejti pritet të vijë në Kuvend, është edhe çështja e mediave. Kjo çështje ka ngecur në Grupin Punues, i cili pritet të vazhdojë punimet javën tjetër. 
 
SHPËTIM NUREDINI