Ngritje-rëniet e shpeshta të temperaturave shkaktojnë paraqitjen e viruseve dhe bakterieve

08.01.2016 15:18

Ndryshimet e shpeshta të temperaturave ndikojnë në paraqitjen e viruseve dhe bakterieve, pasi që organizmi i njeriut nuk është në gjendje menjëherë të adaptohet me ndryshimet klimatike, thotë mjekja nga Qendra e Shëndetit Publik, Lulzime Bajrami...

Sipas saj, brenda kësaj jave ka pasur një ngritje të ndjeshme të personave të prekur nga gripi, por jo ndonjë shifër shqetësuese në krahasim me javën e kaluar.

“Me ndryshimin e temperaturave e dimë se rritet edhe numri i viruseve dhe bakterieve, për atë organizmi i njeriut është më afër dhe mund të infektohet më lehtë. Ato në fillim kapin traktin respirator dhe rrugët e sipërme të frymëmarrjes, që më vonë ato mund të komplikohen me një infeksion sekondar bakterial dhe të vijë deri te bronkiti. Edhe të sëmurët që janë me asëm apo me probleme të mushkërive gjithashtu mund të përkeqësohet gjendja e tyre më tepër”- deklaroi mjekja, Lulzime Bajrami.

Të parët që prekin viruset janë të moshuarit, fëmijët dhe gratë shtatzëna, thotë mjekja Bajrami, duke apeluar që në këtë periudhë ata të kenë kujdes të shtuar ndaj shëndetit.

“Ndryshimet e temperaturave më tepër i atakojnë njerëzit e moshuar  dhe ata të cilët janë me sëmundje kronike, duke filluar nga ata që janë të sëmurë me sëmundje kardiovaskulare, me sëmundje astmatike, sëmundje bronkiale tek të gjithë të moshuarit dhe te ata që kanë pasur një problem të tillë, mandej te fëmijët për shkak se te ata imuniteti është më i zvogëluar, gjithashtu edhe te shtatzënat, por megjithatë te të moshuarit dhe te fëmijët”- theksoi mjekja, Lulzime Bajrami.

Njëherit, mjekja Lulzime Bajrami apelon që pacientët të kenë kujdes që të mos dalin në orët e hershme dhe në mbrëmje, të konsumojnë sa më tepër lëngje, të konsumojnë më tepër fruta dhe perime dhe më tepër vitamina.

Njëherit ajo thekson se qytetarët e prekur nga viruset apo gripi medoemos të vizitojnë mjekun amë dhe mos të konsumojnë medikamente, e sidomos antibiotikë pa konsultim me mjekun. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)